Xhuveli garanton shqiptarët se mishi i lopës së çmendur nuk ka hyrë në Shqipëri – (9 Shkurt 2001)
Lajme Arkiva – TV Klan 2001
Frika nga lopa e çmendur vazhdon të qarkullojë mes blerësve shqiptarë. Për këtë arsye, sot Ministri i Bujqësisë Xhuveli, inspektoi vendet nga ku shitet ky mall. Ky viç në këtë kombinat vjen nga Elbasani është shitur nga tregtarët e këtij qyteti, së bashku me certifikatën veterinare. Pasi ka mbërritur këtu është bërë kontrolli i kafshës së gjallë nga veterineri i qendrës, përfshi dhe inspektorin e veterinarisë të caktuar nga bashkia.
Tregjet e Tiranës, furnizohen me mish nga fermer të fshatrave përreth, ndërsa mishi që importohet vjen nga Argjentina, Australia dhe Brazili. Sipas të dhënave nga Ministria e Bujqësisë dhe Ushqimit, 80% e mishit që konsumohet e zë mishi i vendit.
Lufter Xhuveli, Ministri i Bujqësisë:- “Ne kemi nisur në të gjitha rrethet e vendit, grupe të përbashkëta për të kontrolluar, për të inspektuar se si përpunohet mishi, se si tregtohet, se si zbatohen rregullat, në mënyrë që të parandalohet jo vetëm sëmundja e lopës së çmendur të mos hyjë në Shqipëri dhe me këtë rast ajo nuk ka hyrë në Shqipëri, konsumatorët duhet të jenë të qetë në përdorimin e mishit”./tvklan.al
Gazetare – Holta Zhiti