Ylli Vejsiu për ndryshimet në statutin e PD – (6 Tetor 1999)
Arkiva Lajme -Tv Klan 1999
Ndryshimi i procedurës së zgjedhjes së kryetarit parlamentar të PD ka ngeluar ende i pa zbardhur për kundërshtarët e Berishës brenda Partisë Demokratike. Deputeti Ylli Vejsiu një nga anëtarët e komisionit që hartoi statutin e ri ka deklaruar se është bërë një shkelje flagrante e projektstatutit i miratuar edhe nga Këshilli Kombëtar.
Ylli Vejsiu, deputet i PD:- “Kemi të bëjmë me një shkelje flagrante të nenit 52 të statutit i cili u miratua në mbledhjen e fundit të Këshillit Kombëtar dhe në mënyrë të qartë në këtë nen thuhet, që grupi parlamentar ka të drejtë t’i propozojë Këshillit Kombëtar midis dy ose me shumë kandidaturash alternative nënkryetarin e partisë i cili do të luajë dhe funksionin e kryetarit të grupit parlamentar. Pra iniciatori i kësaj përzgjedhje është grupi parlamentar i cili me integritetin e tij voton, zgjedh dy ose më shumë kandidatura. Këto çohen në Këshillin Kombëtar dhe pastaj aty votohet dhe kush fiton më shumicë votash ai do të jetë njëkohësisht në dy funksione, një nga nënkryetarët dhe kryetari i grupit parlamentar. Ky nen i statutit është transformuar, është ndryshuar në Kongres në një moment i cili nuk është bërë prezent. Ne nuk e dimë, nuk është bërë transparent, nuk është bërë publik dhe për këtë besoj nuk ka asnjë koment”.
Megjithatë marrja nën kontroll nga Berisha e të gjitha forumeve në Partinë Demokratike, për Vejsiun nuk është realisht fitore.
Ylli Vejsiu, deputet i PD:- “Në qoftë se merret kryesimi, udhëheqja, drejtimi i strukturave kryesore të partisë, siç janë këshilli kombëtar, kryesia, kryesia e grupit parlamentar, kjo nuk do të thotë që merret në dorë, futet në dorë gjithë partia. Sepse po ju them që në të gjithë këto struktura, siç na rezulton, një pjesë e mirë nganjëherë dhe mazhoranca janë kundër Berishës”./tvklan.al
Gazetare – Ornela Bego