Ylli, zanatçiu i kostumeve popullore në Tiranë – (21 Janar 2001)


Ylli, zanatçiu i kostumeve popullore në Tiranë – (21 Janar 2001)

20:36 21/01/2001

Lajme Arkiva TV Klan 2001

Ky është Ylli 40 vjeçar, që këtë zanat e ka fituar prej tre brezash. Kjo zejtari ka ekzistuar që përpara çlirimit. Qepja e një kostumi popullor, qëndisja sipas motiveve të trevave të ndryshme kërkon një punë 4 ditore. Vite më parë kjo ishte veshje e përditshme, më pas monopoli i Ansamblit Popullor dhe aktiviteteve folklorike. Tashmë risillet si suvenier ose si vlerë muzeale.

Këtu kryesisht punohet mbi bazën e porosive. Ky është një shtetas gjerman, i cili pasi ka përcaktuar motivet e kostumit që dëshiron, ka porositur një të tillë. Të huajt janë ata që tërheqin më shumë këtë mall, por që vitet e fundit interes kanë treguar edhe shqiptarët, për t’i pasur në një kënd të shtëpisë apo për dhuratë tek të afërmit jashtë shtetit.

“Kryesisht klientët janë si të huaj dhe shqiptarë, sot për sot më shumë janë të huaj, që kanë qejf dhe e pëlqejnë punën artistike shqiptare”.

Një kostum për të rritur kushton 2 mijë lekë të reja. Materiali është stof, e fija është e mëndafshtë, ose imitacion ari. Puna më e vështirë mbetet qëndisja në xhamadan dhe këmisha. Por me gjithë vështirësitë dhe fitimin e pakët, këta rrobaqepës, kënaqësinë e ndjejnë tek veshja e një kostumi popullor./tvklan.al

Gazetare – Holta Zhiti






Të ngjashme