Seanca për emrin peng i numrave
Deri në mesditë parlamenti i Maqedonisë e pati të pamundur vazhdimin e diskutimeve për miratimin përfundimtar të ndryshimeve kushtetuese për emrin e ri shtetëror.
Pengesë për vazhdimin e punimeve është bërë Lëvizja shqiptare Besa e Bilall Kasamit. Kryeministri Zoran Zaev nuk po gjen dot gjuhën e përbashkët me ta për çështjen e shtetësisë. Kasami këmbëngul që në variantin e dokumenteve në gjuhën shqipe të bëhet dallimi mes shtetësisë edhe përkatësisë etnike. Për kryeministrin Zaev është e papranueshme, ashtu sikurse edhe për 8 deputetët e shkëputur nga VMRO-DPMNE, të cilët paralajmërojnë votën kundër marrëveshjes nëse bëhen këto ndryshime.
Kryeparlamentari Talat Xhaferi thotë se do t’a vijojë seancën vetëm kur të jenë të garantuara 80 votat, në mënyrë që votimi të mos digjet. Ndërsa kancelarja gjermane Angela Merkel gjatë vizitës në Athinë, e trajtoi si çështje të mbyllur marrëveshjen, duke falenderuar homologun grek për zgjidhjen e çështjes së emrit të Maqedonisë.
Angela Merkel, kancelare e Gjermanie:
I jam tepër mirënjohëse Aleksis Ciprasit për zgjidhjen e një problemi të vështirë, atë të çështjes së emrit të vendit fqinjë sëbashku me Zoran Zaevin. Kjo zgjidhje i hap rrugë antarësimit të vendit në Bashkimin Europian dhe NATO. Zgjidhja nuk u shërben vetëm Greqisë dhe Maqedonisë Veriore por gjithë Europës.
Merkel premtoi se do të ndërmjetësoi tek kreu i opozitës greke Micotaqis për të mbështetur marrëveshjen e Prespës kur të shtrohet për votim në parlamentin grek.
Tv Klan