Zagani intervistë për median italiane: Në Shqipëri edhe policia trafikon marijuanë
Media italiane “MeridioNews” që publioi përgjimet e bandës së Habilajve ku dilte dhe emri i Saimir Tahirit, ka intervistuar ish-shefin e Antidrogës së Fierit Dritan Zagani, i cili ka përfituar azil në Zvicër.
Punonjësi i Policisë së Shtetit, Dritan Zagani, i cili është shpallur në kërkim nga autoritetet shqiptare për shpërdorim detyre, ishte i pari që akuzoi ish-ministrin e Brendshëm Saimir Tahiri për lidhje me Habilajt. Në intervistën për “MeridioNews”, Zagani thotë se në Shqipëri ekziston mafia, e cila është e lidhur fort me trafikun e drogës, por jashtë nuk mbetet as politika. -Tani të gjithë në Shqipëri po flasin për përfshirjen e mundshme të ish-ministrit në trafikun e drogës. Ju si ndiheni? “Hetuesit italianë më kanë bërë dhuratën më të bukur në botë, por nuk jam i lumtur për atë që po ndodh në vendin tim. Prej disa vitesh jam larguar dhe jetoj me gruan dhe 3 vajzat. Po përpiqem të krijoj një jetë të re në Zvicër dhe nëse mora vendimin për t’u larguar nga Shqipëria, e bëra kryesisht për familjen time”. -Ju keni qenë kreu i Antidrogës në Policinë e Fierit, ndërsa tani një i burgosur në vendin tuaj. Si është e mundur? “Në vitin 2014 po hetoja një grup trafikantësh të lidhur me Habilajt. Një grup shumë i fuqishëm që trafikonte armë dhe kokainë. Gjatë hetimit zbulova dhe Audin e famshëm që më pas mësova se ishte i ministrit të atëhershëm Saimir Tahiri. Vura re se ishte përdorur për udhëtime të dyshimta, por denoncimet e mia nuk u dëgjuan asnjëherë”. -Ju u arrestuat. Për sa kohë u dënuat? Çfarë lidhje kishte puna juaj me policinë italiane? “Më kanë mbajtur në burg për gjashtë muaj dhe pa asnjë avokat. Askush nuk u interesua për mua. Në atë kohë unë bashkëpunoja me hetuesit italianë. Dhe për këtë mua më akuzuan për dekonspirim dhe shitje të informacioneve”. -Shqipëria mbetet vendi kryesor për furnizimin e Siçilisë me marijuanë. Gjatë viteve, a kanë ndryshuar mënyrat e përdorura nga trafikantët? “Deri në vitin 2014 kisha shumë informacione për udhëtime të kamionëve, por edhe me anijet e peshkimit. Gjatë asaj kohe, nga shërbimet sekrete jam informuar se droga është trafikuar edhe me avionë të vegjël. Ishte një rrezik i madh të transportoje 200-300 kg marijuanë për çdo rrugë. Kjo ndodh vetëm nëse ke përkrahje në rangje të larta”. -Sa është niveli i korrupsionit në vendin tuaj? Në dosjen për Habilajt, disa herë ata i referohen rolit të policisë në trafikun e drogës. “Unë gjithmonë kam denoncuar korrupsionin. Problemi i vërtetë është kur agjencitë e zbatimit të ligjit shfaqin një interes për trafikun e drogës. Politikanët përdorin gjithashtu paratë e krimit, madje edhe për zgjedhjet. E gjithë bota e di se politika i ka mbyllur sytë duke lënë të lirë kultivimin dhe shitjen e marijuanës”. -A do të ndryshojë kjo ndonjëherë? “Kjo kërkon shumë kohë në Shqipëri. Mafia është shumë e fortë dhe baza e saj është droga”. -Sipas mendimit tuaj, Parlamenti a do të mbajë një pozicion të qartë kundër Tahirit? “Nuk do ta votojë sepse Tahiri është vetëm një hallkë e një zinxhiri të gjatë që nuk mund të bjerë. Sepse po ra ai, mund të rrëzohet edhe qeveria shqiptare”. /tvklan.al