Zbardhen arsyet e akuzës ndaj Haki Çakos, Drejtori i Policisë apelon vendimin e pezullimit


Zbardhen arsyet e akuzës ndaj Haki Çakos, Drejtori i Policisë apelon vendimin e pezullimit

14:34 08/06/2016

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Haki Çako, ka apeluar vendimin e Gjykatës së Tiranës për pezullimin e tij nga detyra. Sipas avokatit, Maks Haxhia, ky vendim është në shkelje të ligjit. Ai thotë se në veprimet e Çakos nuk ka vepër penale. Në detyrën e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë është komanduar Rebani Jaupaj. Prokuroria ka zbardhur ndërkohë disa detaje të tjera nga dosja e hetimeve për pajisjen italiane të përgjimit.

Grupi hetimor ka listuar disa shkelje të dyshuara si të kryera nga Çako. Gjatë marrjes së tij në pyetje për këtë çështje, numri një i Policisë ka sqaruar se pajisja është në gjendje të identifikojë numrin IMEI të çdo aparati telefonik. Ai ka thënë gjithashtu se nuk ka asnjë dijeni për regjimin doganor të hyrjes së pajisjes në vendin tonë.

Këto pretendime, thotë Prokuroria, Çako duhet t’i kishte evidentuar që në shkresën e 9 Majit, ku iu kërkua informacion për herë të parë. Prokuroria thotë se në bazë të marrëveshjes së vitit 2007, nënshkruar nga Policia Shqiptare dhe ajo Italiane, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë detyrohet sipas nenit 8 paragrafi 3, të njoftojë zyrën Qendrore të Misionit Interforcë, kur anëtarët e kësaj zyre kanë kryer një krim të evidentuar, jo në flagrancë, pavarësisht imunitetit që italianët gëzojnë.

Prokuroria evidendon se Çako nuk e ka kryer detyrën. Për më tepër, sqarojnë hetuesit, ai nuk ka kryer as verifkimet më minimale, në lidhje me veprimet e kryera pranë zyrave doganore të shtetasve italianë, të cilët futën në Shqipëri pajisjen, pa e regjistruar atë. Ndërkohë në mungesë të një përgjigje nga zyra e “Interfoce” në Tiranë Prokuroria e kryeqytetit i dërgon letër porosi autoriteteve për pajisjen e përgjimeve. Hetuesit kanë listuar disa pyetje për konkrete mbi programin e pajisjes dhe oficerët italianë të cilët kanë asistuar.

Tv Klan






Të ngjashme