Zbardhen bisedat telefonike të grupit të drogës


Zbardhen bisedat telefonike të grupit të drogës

15:28 09/07/2016

Televizioni Klan zbardh kërkesën e Prokurorisë, për caktimin e masës së sigurisë ndaj shtetasit Jurgen Molla, një prej të arrestuarve në operacionin “Ballkani”. Trafikimi i heronës është evidentuar në tre raste, ku bisedat mes anëtarëve të grupit krimianl kanë qenë të shpeshta dhe me kodime të fjalëve të përdorura për përcaktimin e drogës që do transportohej.

Gjatë muajit Qershor 2015, Jurgen Molla, Aric Çiço, Abubekir  Tuncdemir, kanë realizuar disa takime në Kosovë dhe në Shqipëri, me qëllim arritjen e një marrëveshjeje për trafikimin e një sasie lënde narkotike heroinë, e cila do të sigurohej nga shtetasi turk, ndërsa Jurgen Molla dhe Anesti Koromani ishin blerës.

Pas arritjes së marrëveshjes, ku pala kosovare kërkonte garancinë e pagesës nga ana e Jurgen Mollës, ky i fundit, më datë 27 Qershor 2015, ka çuar në Kosovë lidhjen e tij më të besuar, Orges Myftaraj, me një sasi prej 230.000 euro.

Po në këtë datë, Jurgen Molla ka takuar në Patok, Arben Prendin, ku dyshohet se i ka dhënë dhe shumën prej 8000 eurosh, si pagesë për transportin e ngarkesës së heroinës. Po në këtë ditë, Arben Prendi është nisur për në Kosovë, me kamionin tip Man, me targë AA 090 IF.

Nga datat 27 – 29 Qershor 2015, nga bisedat midis shtetasve të mësipërm, rezultonte se heroina ndodhej në afërsi të Prishtinës, ku ishte magazinuar dhe për këtë vend kishin dijeni shtetasit turq dhe kosovarë, Abubekir Tuncdemir, Enver Kurulus dhe Arif Çiço.

Nga kontaktet telefonike u kuptua se Jurgen Molla ka pasur një borxh për të paguar një transport të mëparshëm, kundrejt Enver Kurulus, i cili fillimisht nuk ishte dakord për t’i dhënë heroinën, por më pas më datë 29 Qershor 2015, dy turqit Tuncdemir dhe Kurtulus, në një valixhe, ia dorëzojnë ngarkesën e heroinës transportuesit Arben Prendi, në një vend  në Kosovë.

Në orën 17:00 të datës 29 Qershor 2015, u bë e mundur arrestimi në flagrancë i Arben Ndue Prendit, sepse në orën 13:00, në Pikën Kalimit Kufitar Morinë, gjatë kontrollit në mjetin kampion tip “Man”, me targë AA090 IF në kabinën e mjetit iu gjetën 15 kilogramë e 224 gramë heroinë. Kjo sasi droge ishte për llogari të Jurgen Mollës dhe bashkëpunëtorëve të tij.

Pas marrjes dijeni të realizimit të këtij operacioni, Jurgen Molla, Klaudjo Veizaj dhe Orgest Myftaraj kanë fikur numrat e telefonit. Në vijim janë identifikuar numra të tjerë celularësh të tyre, duke vijuar hetimet në mënyrë pro – aktive.

Në një prej përgjimeve telefonike, Jurgen Molla i dërgon mesazh Arif Çiços me tekstin:

“Mirmëngjesi vëlla. Po mbrëmë e takuam ne atë, kemi ndenjur deri në ora një mbrëmë dhe atë takim do na thotë sot kur të vijë ajo për t’u fut”.

Rasti i dytë:

Në fund të muajit Tetor – Nëntor 2015, Jurgen Molla, Aric Çiço, Abubekir Tuncdemir kanë qenë në tratativa për arritjen e një marrëveshje për trafikimin e një sasie heroine. Tuncdemir kishte mundur të trafikonte 15 kilogramë heroinë nga Turqia për në Greqi. Sipas Prokurorisë, ky shtetas, duke pasur këtë sasi heroine, në Selanik është lidhur me Jurgen Mollën, për të realizuar transportimin drejt Athinës. Ky i fundit ka kërkuar ndihmën e Shyqyri Kotorrit, i cili sipas organit të akuzës, dyshohet se ka rrjetin e tij të trafikimit, transportimit dhe shpërndarjes së lëndës narkotike në Greqi.

Në një prej mesazheve telefonike të transkriptuara, që Jurgen Molla i nis Arif Çiços, shkruan:

“O vëlla unë kam një muaj e ca që jam duke pritur. Isha në borxh, më fute në borxh, për një javë e asgjë që ta nis burrin e huaj në Greqi kot të rri atje, jo sot jo nesër, ne i patëm ndryshe muhabetet. Ti sheh vetëm hallet e tua. Se më fut mua në borxh e në siklete, po e shoh që nuk të bëhet vonë vëlla”.

Ndërsa Arif Çiço i kthen mesazhin: “

Vëlla më ço numrin dhe një emër kod, si ta thërrasin që ta di që është ai”

.

Në këtë interval kohor, Jurgen Molla ka biseduar me Shyqyri Kotorrin, të cilit i ka kërkuar një njeri në Greqi, që mund të bëjë transportin për llogari të Jurgenit, në adresën e dërguar nga Arifi.

Ndërsa të nesërmen i shkruan mesazh Shyqyri Kotorrit, me tekst:

“O Shok po gjete dikë ka mundësi të marr më shumë beton (

këtu dyshohet se betoni është heroinë)

se sa folëm, se sapo më njoftuan”.

Ndërsa të nesërmen, me datë 12 Shtator 2015, i dërgon një tjetër mesazh me tekst:

“Hë vlla, mbërriti betoni? Se po presin punëtorët”.

Policia greke, më 21 Dhjetor të vitit 2015, ka arrestuar 8 persona, pjestarë të grupit të Shyqyri Kotorrit, mes tyre dhe vëllain e tij, Edmon Kotorri. Atyre iu gjet kokainë, heroinë dhe kanabis.

Rasti i tretë:

Në mujin Mars 2016, Jurgen Molla, Arif Çiço, Mehmet Kulug Ihsan Olmez, Blerim Ukimeraj janë takuar me njëri – tjetrin, me qëllim sigurimin e një sasie heroine dhe trafikimin e saj për në Shqipëri. Sipas Prokurorisë, Jurgen Molla kishte dalë garant për t’i siguruar një sasi heroine Anesti Koromanit, të cilën do ta siguronte Mehmet Kulug, i kthyer nga Franca, ku atje i është gositur një pjesë e rrjetit.

Nga informacioni i përftuar nga vëzhgimi në terren, dyshohet se me datë 17 Mars 2016, Arif Çiço dhe Mehmet Kulug kanë dërguar një lidhjen e tyre, shtetasin Ekrem Hoti, në Turqi, për të garantuar nisjen e ngarkesës së lëndës narkotike në kamion, si dhe nisjen për në Kosovë.

Më datën 19, Ekrem Hoti kthehet në Kosovë dhe telefon duke lajmëruar se ngarkesa vjen të nesërmen dhe të hënën zhdoganohet.

Më datën 21 Mars 2016, Blerim Ukimeraj sëbashku me Ekrem Hoti janë nisur për në Shqipëri me një mjet dhe shoqëronin një makinë tip benz.

Po në këtë datë, Policia e Shtetit ka ndaluar mjetin tip benz që drejtohej nga Anesti Koromani dhe pasagjer Romeo Beqja dhe nga kontrolli kanë gjetur një sasi prej 560 gramë heroinë.

Tv Klan






Të ngjashme