Zbardhet dosja e arrestimit të ish-drejtorit të RTSH
Gëllçi akuzohet për tenderin e pajisjeve të RTSH Agro
Dalin të tjera detaje nga dosja e SPAK që çoi në pranga ish-drejtorin e RTSH-së, Thoma Gëllçi dhe 3 punonjës të këtij institucioni. Prokurorët kanë marrë indicie për parregullsi në tenderin prej 86 milionë lekësh për blerjen e pajisjeve për kanalin RTSH Agro nga një raport i kontrollit të lartë të shtetit.
SPAK thotë se kompania fituese nuk i përmbush kriteret e vendosura dhe se ajo duhet të ishte skualifikuar.
Pajisjet e prokuruara pas hyrjes në magazinë, një pjesë e tyre i kanë kaluar njësisë Qendrore në Drejtorinë e Përgjithshme të RTSH dhe një pjese tjetër ka kaluar në magazinat e Kukësit, Gjirokastrës, Shkodrës dhe operatorëve sportivë.
Sipas SPAK, pas nënshkrimit të kontratës me operatorin fitues ka zgjatur në kundërshtim me ligjin afatin e zbatimit të saj. Në këtë mënyrë, thuhet në dosjen e SPAK, ish-Drejtori i RTSH-së ka kryer me dashje veprime që vijnë në kundërshtim me ligjin duke konsumuar elementët veprës penale të ‘’Shpërdorimit të detyrës”.
Për 3 punonjësit e tjerë rëndon akuza e shkeljes së barazisë së pjesëmarrësve në tendera e kryer në bashkëpunim.
Tv Klan