Rama bisedon me Merkel


Rama bisedon me Merkel

16:32 12/10/2020

Plani i investimeve të BE-së në Ballkanin Perëndimor, Shengeni Rajonal, progresi i Shqipërisë për çeljen e negociatave si dhe kryesimi i vendit tonë në OSBE kanë qenë disa nga temat me të cilat ka biseduar kryeministri Edi Rama këtë të hënë me kancelaren gjermane, Angela Merkel.

Detajet i ka dhënë vetë nëpërmjet një statusi në rrjetet sociale kreu i qeverisë. Ai ka postuar një foto nga takimi online që ka patur me kancelaren dhe që ka zgjatur rreth 60 minuta.

“Me Kancelaren Merkel, biseduam pak më parë për rreth 60 minuta mbi Planin e Madh të Investimeve të Bashkimit Europian për Ballkanin Perëndimor dhe nxitjen e mëtejshme drejt Shengenit Rajonal; progresin e Shqipërisë pas vendimit për çeljen e negociatave dhe përpjekjet në vijim drejt Konferencës së Parë Ndërqeveritare me BE, si edhe kryesimin e suksesshëm të OSBE nga Shqipëria dhe sfidat deri në përmbylljen e mandatit tonë në Dhjetor”, thotë Rama.

 Kryeministri Rama shkruan se bisedat me kancelaren Merkel janë gjithnjë të veçanta pasi mbi të gjitha ajo e njeh, kupton dhe njeh rajonin ku ne bëjmë pjesë dhe mbi të gjitha Shqipërinë.

“Edhe njëherë si gjithnjë, kënaqësi e veçantë biseda me Kancelaren gjermane, një mike e shkëlqyer që e njeh, e kupton dhe e ndjek rajonin tonë e Shqipërinë gjithashtu, me detaje e vëmendje krejt të posaçme”, shkruan Rama./tvklan.al






Të ngjashme