Zbardhet dinamika e grabitjes që la 2 të plagosur
Autorët kërkonin paratë, por u pikasën nga familjarët
Një tentativë për grabitje ka lënë të plagosur me armë zjarri çiftin e bashkëshortëve Afërdita dhe Petrit Laze në vilën e tyre në Allias të Tiranës.
Në orën 9.40 minuta e së dielës, 2 persona të maskuar janë ngjitur në katin e dytë të banesës, por pasi janë pikasur nga familjarët ata kanë qëlluar mbi bashkëshortët. 12 orë pas ngjarjes shtëpia qëndron e mbyllur.
Ndërsa në katin e parë që shërben si punishte për prodhimin e produkteve të brumit vazhdon puna.
Fqinjët që pyesim e kanë mësuar sot në mëngjes ngjarjen. Tronditja dallohet edhe tek punëtorët.
“Dyshimet e para janë se grabitësit njiheshin me çiftin Laze, por njihnin mirë edhe mjedisin e shtëpisë së tyre. Ata kanë zgjedhur për të hyrë brenda derën e pasme duke shmangur kamerat e sigurisë që mbulojnë hyrjen kryesore”.
Më shumë detaje për ngjarjen ka dhënë përpara oficerëve të policisë 59 vjeçarja Afërdita Laze. Ka qenë vajza e tyre 17 vjeçare që ka dëgjuar e para zhurmë në korridorin e katit të dytë.
I ati, ka dalë të kontrollojë, por aty është ndeshur me 2 persona të maskuar që i kanë drejtuar atij armën.
Ata kanë kërkuar t’ju tregonte vendodhjen e parave, por të përballur me rezistencën e 61-vjeçarit ata e kanë qëlluar me plumb në bark. Pas tij ka dalë Afërdita e cila po ashtu është goditur me një plumb në këmbë.
Pa mundur të merrnin asgjë, grabitësit janë larguar me vrap dhe deri tani nuk ka asnjë gjurmë të tyre. E palënduar ka mbetur vetëm vajza e çiftit, ndërsa Petriti dhe Afërdita janë transportuar drejt spitalit të traumës.
Burime
brenda spitalit bëjnë me dije se 61 vjeçari i është nënshtruar një ndërhyrje
kirurgjikale në mesnatë dhe ndodhet në reaminacion.
“ Të dy bashkëshortët janë nën kujdesin
intensiv të mjekëve në spitalin e Traumës. Mjekët thonë se gjendja e Petrit Lazes
është e stabilizuar për momentin, ndërsa Afërdita Laze ndodhet jashtë rrezikut
për jetën”.
Tv Klan