Zbardhet letra e Ilia Karelit


Zbardhet letra e Ilia Karelit

14:17 31/03/2014 KareliProkuroria e Fierit ka nisur hetimet për vrasje për rastin e Ilir Karelit apo Kudret Kumes, siç rezulton emri i tij i vërtetë, 42 –vjeçarit shqiptar që u gjet i vdekur në qelinë e tij, në burgun e Nigritas në Greqi.

Trupi i tij mbërriti një ditë më parë në Fier dhe sot i është nënshtruar një tjetër ekspertize ligjore në morgun e spitalit të këtij qyteti.

Burime zyrtare pranë prokurorisë së Fierit thanë se ekspertimi i palës greke është i paplotë dhe se nuk ndihmon për zbardhjen e shkaqeve të vdekjes së tij.

Edhe familjarët pretendojnë se 42-vjeçari është dhunuar barbarisht nga gardianët e burgut të Malandrinos në shenjë hakmarrje për vrasjen e kolegut të tyre.

Ndërsa gazeta greke To vima ka publikuar sot një letër që Ilia Kareli ia dorëzoi gardianit të burgut të Malndrinos para se ta vriste. Shënimi mban datën 25 mars dhe është përfshirë në dosjen hetimore në ngarkim të shqiptarit. Në këtë letër ai shpreh indinjatën për mbajtjen padrejtësisht në burg dhe zbardh arsyet që e çuan të vrasë 46- vjeçarin Jorgo Cironi, baba i dy fëmijëve.

Letra: Po më mbani kot në burg për kaq kohë. Nuk kam vrarë njeri dhe jam dënuar vite të tëra vetëm për disa vjedhje. Pse nuk më latë të shkoj në shtëpi dhe ta gjej të gjallë nënën time? Pse nuk më latë të bëj dhe unë një familje? Jam në burg që në vitin 1997 dhe ju nuk jeni ngopur me vitet e mia të burgut. Kam shlyer burgimet e përjetshme dhe 4 vite me punë të detyrueshme. Me gabimin që kam bërë nuk meritoja kaq vite në burg dhe ju po vazhdoni të më mbani. Jam i detyruar të marr dhe unë jetën e njërit prej jush. Përse më morët gjithë jetën, përse, përse….përse?

Sipas gazetës Gazeta To Vima letra e Ilia Karelit është me gabime të shumta drejtëshkrimore dhe e diktuar nga kushtet e një ngarkese të rënduar emocionale. Pas vrasjes së gardianit, Ilia Kareli u transferua të enjten në mbrëmje në burgun e Nigritas, ku u gjet i vdekur pak orë pasi kishte hyrë në qeli. Ekspertiza mjekoligjore doli në përfundimin se 42-vjeçari shqiptar kishte ndërruar jetë nga frakturat e shumta në pjesën e kraharorit. Ai dyshohet se është tortuar perpara transferimit në burgun e Nigritas. Autoritetet e këtij burgu thanë se ai kishte mbërritur i gjakosur dhe se nuk kishte pranuar mjekimin.

Ndërkohë disa dhjetra qytetarë i janë bashkuar kortezhit mortor në ceremoninë e varrimit të zhvilluar në Zhupan të Fierit. Flamuj të shumtë kombëtarë binin në sy në ceremoninë e lamtumirës për 42-vjeçarin.

Tv Klan





Të ngjashme