Zbardhet përgjigjia e PD për draftin e Nuland: Ndërkombëtarët, vetëm monitorues të Vetting -ut


Zbardhet përgjigjia e PD për draftin e Nuland: Ndërkombëtarët, vetëm monitorues të Vetting -ut

15:30 13/07/2016

Partia Demokratike ka kthyer përgjigje për propozimin e bërë nga Ndihmës Sekretarja amerikane e Shtetit, Victoria Nuland, mbi mënyrën e zgjedhjes së komisioneve që do të kryejnë vetingun e anëtarëve të sistemit të drejtësisë.

Mbi draftin e propozuar, ekspertët e selisë blu kanë bërë disa sugjerime, përsa i përket rolit të ndërkombëtarëve në këtë proces. Në draftin e PD -së, Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit ka një pozitë monitoruese, me akses të plotë dhe pa asnjë kufizim, por jo vendimarrëse.

“Vëzhgues nga Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit kanë të drejtë të marrin pjesë në seancat e shqyrtimit të kandidatëve pa asnjë kufizim. Kjo trupë ka të drejtë të ketë akses të plotë dhe të papenguar tek çdo dokumentacion që administron komisioni”.

Në sqarimet që PD bën për këtë moment thotë se, përgjegjës për vendimet duhet të mbetet parlamenti shqiptar dhe institucionet shqiptare.

“Propozimi i jep ONM rol vëzhguesi me akses të plotë në proces dhe dokumentacion, prova apo çdo fakt të shqyrtuar, por pa pushetet diskrecional, i cili do ta kthente ONM në një institucion me supra-sovranitet brenda kornizes kushtetuese shqiptare dhe pa përgjegjshmëri (accountability) demokratike”.

Përsa i përket skemës së ngritjes së komisioneve që do të kryejnë vetingun, propozimi i PD parashikon që ai të nisë nga Avokati i Popullit.

Në Kuvend do të krijohen 2 komisione ad hoc.

Një komisioni me 6 anëtarë, shqyrton kandidaturat dhe vendos për përjashtimin e një kandidati, bazuar vetëm në prova.

Ndërsa Komisioni me 12 anëtarë zgjedh 12 komisionerët e Komisionit të Kualifikimit, me një votim të fshehtë elektronik, ku secili anëtar i voton për 1 kandidat.

Më pas, propozimet shkojnë në Kuvend, i cili mund të pranojë ose rrëzojë listën e kandidatëve në bllok me një shumicë të cilësuar 2/3. Çdo kandidat i nxjerrë jashtë garës ka të drejtën e ankimimit në Gjykatën Kushtetuese.

Tv Klan






Të ngjashme