Zbardhet vrasja e shqiptarit në Greqi, pas krimit fshihet 24-vjeçarja
Policia greke ka zbardhur vrasjen e një 24-vjeçari shqiptar në Greqi, ngjarje e ndodhur më 28 maj 2017 në lagjen Patisia në Athinë.
Agjencia shtetërore greke e lajmeve “ANA-MPA” njofton se janë arrestuar dy shqiptarë, një vajzë dhe një djalë përkatësisht të moshës 24 vjeç dhe 20 vjeç. Si bashkëpunëtor në këtë krim janë shpallur edhe dy persona të tjerë, 19 dhe 23 vjeç. Gjatë marrjes në pyetje, dy të arrestuarit kanë pranuar krimin.
Vajza 24-vjeçare, ish e dashura e viktimës rrëfeu se kishte njohje me të dhe pretendon se ishte abuzuar sistematikisht prej tij. Për këtë arsye, u tha ajo policëve, kërkoi ndihmën e të afërmve të saj për ta frikësuar.
Shqiptarja shpjegoi se mbrëmjen kur ndodhi ngjarja, ajo kishte kërkuar takim me viktimën dhe pranë tyre prisnin miqtë e saj në një rrugicë, të cilët e dhunuan dhe e qëlluan me thikë. 24-vjeçari u dërgua me urgjencë në spital nga kalimtarët e rastit, por nuk mundi të mbijetonte për shkak se kishte humbur gjak.
Pas vrasjes, policia kishte gjetur të hedhur në një kanal edhe thikën me të cilën u krye vrasja. Mediat greke nuk kanë publikuar emrin e viktimës dhe as emrat e shqiptarëve të arrestuar./
tvklan.al