Zbulohen predikimet e Genci Ballës


Zbulohen predikimet e Genci Ballës

15:38 12/03/2014 predikimetVëllezërit tanë muslimanë sot janë duke vuajtur atë padrejtësi të madhe që është duke u bërë në Siri, në Irak e në vende të tjera, në të cilat po luftohet islami”.

Ky është një prej predikimeve të Genci Ballës, të vetëshpallurit imam të xhamisë së unazës së re, të arrestuar për terrorizëm, gjatë të cilit, luftën në Siri apo në Irak, e quan luftë kundër fesë islame. Prokuroria e Krimeve të Rënda dyshon se ka kryer veprime aktive për të indoktrinuar persona të ndryshëm me ideologji radikale, për t’u angazhuar më pas në luftime në përbërje të grupeve terroriste ekstremiste në Siri. Por përfshijen e besimtarëve muslimanë në këtë konflikt, në predikimin e publikuar në Youtube që mban datën e 11 janarit, ai e quan si të drejtë për të mbrojtur vëllezerit e motrat muslimane.

Janë ngritur vëllezërit për të mbrojtur nderin e motrave muslimane, për të mbrojtur gjakun e tyre, për të mbrojtur domethënë… të drejtën e muslimanëve. Mirëpo… nuk mjafton për ta vetëm ajo… lufta që bëhet kundrejt muslimanëve, kundrejt islamit, por kanë dalë kundër tyre edhe grupe njerëzish që i dhonë vetes së tyre muslimanë dhe nuk i lënë gjuhët e tyre pa i zgjatur dhe pa i ngrënë mishin dhe pa shpifur dhe pa i akuzuar muslimanët…”

Të tilla predikime dhe disa përgjime të kryera nga Porkuroria e Krimeve të Rënda janë provat që e implikojnë atë dhe 12 persona të tjerë në akuzat për “Rekrutim të personave me qëllim kryerjen e veprimeve terroriste”, të “Nxitjes, thirrjes publike dhe propaganda për kryerjen e veprave penale me qëllime terroriste” dhe të “Nxitjes së urrejtjes ose e grindjeve ndërmjet kombësive, racave dhe feve”. Dyshohet se kanë rekrutuar disa persona dhe i kanë dërguar për të luftuar në Siri. 8 prej tyre u arrestuan dhe 5 të tjerë janë shpallur në kërkim. Burime nga grupi hetimor bëjnë me dije se asnjëri prej tyre nuk ka pranuar akuzat dhe as t’u përgjigjur pyetjeve të oficerëve të policisë gjyqësore. Prokurori i çështjes do të tentojë sërish që të marrë deklaratat e tyre vetëm pasi gjykata të ketë dhënë masën e sigurisë. Prokuroria e Krimeve të Rënda vijon ndërkohë hetimet për zbuluar të gjitha lidhjet e këtij trafiku.

Dyshohet se numri i të rekrutuarve arrin në afro 80. Udhëtimi i tyre drejt Sirisë mendohet së është bërë nga Turqia. Ndërsa pagesat janë kryer në dorë, me para kesh të ardhura nga Siria, jo nëpërmjet transfertave bankare, por të sjella nga persona të ndryshëm.





Të ngjashme