Zbulohen të dhëna shokuese për vdekjen e futbollistit Sala
Futbollisti Emiliano Sala dhe piloti i avionit Divid Ibbotson ishin helmuar para se aeroplani i tyre të rrëzohej. Byroja e Hetimit të Aksidenteve Ajrore tha se Sala dhe Ibbotson ishin ekspozuar ndaj niveleve të larta të monoksidit të karbonit.
Nga hetimet ka rezultuar se kabina e avionit charter ishte mbushur me gaz vdekjeprurës. Në trupin e futbollistit 28-vjeçar u gjetën nivele të larta të monoksidit të karbonit.
Avokati i familjes Sala thotë se të afërmit dhe publiku duhet të dinë se si monoksidi i karbonit kishte hyrë në kabinën e avionit.
“Familja beson se është i nevojshëm një ekzaminim teknik i detajuar i aeroplanit”, shtoi avokati.
Avioni me të cilin udhëtonin futbollisti Sala dhe piloti Ibbotson u rrëzua në det në kanalin e La Manshit më 21 Janar. Trupi i pilotit nuk është gjetur ende sot e kësaj dite.
Kurse trupi i futbollistit Sala u gjet në fund të detit brenda mbetjeve të avionit disa javë pas kërkimeve intensive. /tvklan.al