Zbulohen vrasësit e ambasadorit rus
Grupi terrorist Jabhat Fatah al-Sham, i njohur ndryshe edhe si fronti Al-Nusra ka marrë përgjegjësinë për vrasjen e ambasadorit rus në Ankra, ditën e hënë.
Agjencia ruse e lajmeve “Sputnik” tha se grupi terrorist ka marrë përgjegjësinë për vrasjen e ambasadorit Andrey Karlov, me anë të një letre të publikuar në internet.
Më herët, media turke ka raportuar se numri i të arrestuarve në lidhje me vrasjen e Karlov ka arritur në 13. Arrestimet janë kryer në kryeqytetin Ankara, në Izmir dhe Aydin, thotë televizioni turk “NTV”.
Ambasadori Karlov u qëllua për vdekje gjatë fjalimit në një ekspozitë fotografie në Ankara.
Media turke ka raportuar se gjashtë të afërm të autorit Mevlut Mert Altintas, disa prej të cilëve më lidhje të dyshuara me klerikun Fetullah Gulen, janë në mesin e të arrestuarve pas atentatit në Ankara.
Gulen akuzohet nga Presidenti turk Erdogan edhe për grushtin e dështuar të shtetit më 15 Korrik 2016.
Që prej Shtatorit të vitit 2015, Rusia është rreshtuar përkrah forcave të presidentit sirian Bashar Al-Asad duke bombarduar grupet opozitare, përfshirë Shtetin Islamik dhe Al Nusran.
Pasi qëlloi mbi ambasadorin rus, Altintas thërriti “Mos harroni Alepon. Mos harroni Sirinë”, duke lënë të kuptohet se sulmi është një hakmarrje për veprimet e Rusisë në Siri.
“Sputnik” thotë se Al Nusra mori një vendim të çuditshëm më herët gjatë vitit për t’u ndarë nga Al Kaeda dhe për të ndryshuar emrin në Jabhat Fatah al-Sham (Fronti për Clirimin e Sirisë).
Lideri i grupit Abu Mohammad al-Julani deklaroi ndarjen nga Al Kaeda në Korrik, duke shtuar se tashmë grupi nuk do të lidhet me grupe të huaja./tvklan.al