Zbulohet baza e dytë e terroristeve të Barcelonës


Zbulohet baza e dytë e terroristeve të Barcelonës

22:31 23/08/2017

Zbulohet një tjetër bazë që celula terroriste e Barcelonës përdorte për përgatitjen sulmit terrorist të 17 gushtit në Las Ramblas. Në një fermë të braktisur në rrethinat e Tarragonas, policia gjeti fatura të blerjes së 500 litrave açeton, që i shërbente celulës së marokenëve për përgatitjen e bombave artizanele. Një nga te arrestuarit pranoi në gjykatë se materiali shpërthyes ishte thuajse gati.

Sakaq në Spanjë kanë nisur përplasjet mes institucioneve të sigurisë. Shkak është bërë një urdhër-dëbimi ndaj imamit Abdelaki Es Sati, i cili ishte ofruar për t’u bërë kamikazi që do të sulmonte Katedralen e famshme “Sagrada Familia”. Një gjykatës në vitin 2015 kishte anuluar urdhrin për dëbimin e imamit, pasi nuk e konsideronte si element të rrezikshëm.

Tensionet janë rritur edhe mes forcave të policisë. Guardia Civil, policia kombëtare e Spanjës, hedh fajin mbi forcën e sigurisë në Katolonjë, të cilën e akuzon për mungesë bashkëpunimi.

Polemika të shumta, kryesisht në botën arabe, shkaktoi edhe kopertina e radhës e revistës satirike Charlie Hebdo. E përjavshmja franceze, doli me një karikaturë ku satirizon sulmin në “Las Ramblas”, shoqëruar me shkrimin; Islami, feja e paqes së përjetshme.

15 persona mbetën të vrarë dhe mbi 100 të tjerë u plagosën në sulmin me furgon në Barcelonë. Autori i masakrës, 22-vjeçari Younes Abouyaaqoub, u vra në dalje të Barcelonës, ndërsa komandoja terroriste e përbërë nga 12 marokenë u shkatërrua plotësisht./Tv Klan






Të ngjashme