Zbulohet letra e shefit të policisë italiane: Pajisja e sjellë në Shqipëri s’mund të kryejë përgjime


Zbulohet letra e shefit të policisë italiane: Pajisja e sjellë në Shqipëri s’mund të kryejë përgjime

15:25 19/05/2016

Pajisja e shumëpërfolur për përgjime telefonike në Shqipëri nga Policia Shqiptare, nuk ka mundur të bëjë asnjë lloj përgjimi. S’ka përgjuar as telefonata, mesazhe apo komunikime në internet.

Është kjo përgjigjja që Shefi i Policisë Italiane, Alessandro Pansa, i dërgon Prokurorit të Përgjithshëm, Adriatik Llalla, në lidhje me hetimet që po kryen Prokuroria Shqiptare, në një letër që zbulohet nga Televizioni Klan dhe që vjen në kulmin e debatit politik për këtë çështje.

“Kjo pajisje stërvitore rezulton e konfiguruar në mënyrë të atillë që nuk është në gjendje të bëjë asnjë lloj përgjimi, as përgjime të telefonatave dhe as të mesazheve. Një konfigurim i tillë, që nuk është i modifikueshëm as nga operatorët, nuk lejon as përgjimin e komunikimeve të tjera në internet”.

Në përgjigjen që i është përcjellë organit të akuzës, përmes Ambasadorit italian në Tiranë, Alberto Kutilo, sqarohet se pasjisja është sjellë në Shqipëri më 11 Mars të këtij viti, në zbatim të marrëveshjes së nënshkruar më 19 Qershor 2007, mes qeverisë italiane dhe qeverisë shqiptare, që parashikon veç të tjerash, aktivitete mësimore dhe trajnuese në luftën kundër kriminalitetit në të gjitha format e saj.

Shefi i Policisë Italiane, në letrën e tij, jep detaje se si hyri kjo aparaturë në Shqipëri.

“Më 11 Mars të vitit 2016 u dërguan në Tiranë dy operatorë të specializuar të Policisë Italiane, me detyrën për të kryer trajnime për trajnimin e Policisë Shqiptare. Për këtë qëllim, personeli italian mori me vete, për aktivitetet e mësipërme të trajnimit, një autoveturë të pajisur me një pajisje të quajtur “IMSI Catcher”, me modelin Vortex prodhuar nga Ditta Ercom, të instaluar në bordin e saj. Operatorët e Policisë Italiane, që e kanë marrë këtë pajisje me vete për qëllimet e thëna më sipër, janë pritur në Portin e Durrësit nga zyrtarë të Policisë Shqiptare. Detyrat e operatorëve italianë janë konkretizuar në aktivitetin e mësimit dhe asistencës teknike për përdorimin e pajisjes për lokalizimin dhe monitorimin e telefonisë celulare”.

Pajisja, siç thotë numri një i Policisë Italiane në letrën drejtuar Kryeprokurorit Llalla, ka qenë gjithnjë nën kontrollin e autoriteteve italiane dhe nuk është mbajtur nga Policia Shqiptare.

“Pajisja trajnuese ka qëndruar gjithnjë në disponueshmërinë e operatorëve italianë dhe është ruajtur, kur nuk është përdorur për aktivitetet trajnuese dhe mësimore, pranë zyrës italiane të kontaktit, që gjendet brenda Ambasadës Italiane në Tiranë”.

Në mbyllje të letrës së siguruar nga Televizioni Klan, zoti Pansa thekson edhe njëherë se kjo pajisje nuk ka mundur të kryejë asnjë lloj përgjimi apo dhunim të asnjë lloj natyre. Nga ana tjetër, ai i kujton Prokurorisë Shqiptare se personeli italian gëzon imunitet në ushtrimin e funksioneve të tij.

“Duke ju informuar se janë stërvitur 5 operatorë të Policisë Shqiptare, me aktivitetin e zhvilluara në Tiranë, Elbasan e Vlorë, del në pah që aktiviteti mësimor në fjalë nuk ka mundur dhe nuk ka kryer dhunime të asnjë lloj  natyre. Personeli i foracve të Policisë Italiane i impenjuar në ekzektutimin e marrëveshjes gëzon, sipas nenit 8 të saj, iminutetin e juridiksionit civil, penal dhe administrativ për aktet e kryera në ushtrimin e funksioneve të tij”.

Letra e Kryepolicit italian vjen pas hetimeve të nisura nga Prokuroria dhe në mesin e debatit që ka përfshirë politikën shqiptare për pajisjen e përgjimit.

Opozita ka akuzuar mazhorancën dhe veçanërisht, Ministrin e Brendshëm se e ka përdorur atë për të përgjuar drejtues të saj, kreun e shtetit, gjyqtarë, diplomatë, përfaqësues të medias e gazetarë.

Por Ministri i Brendshëm dhe Drejtori i Përgjithshëm i Policisë, sqaruan edhe në Komisionin Parlamentar të Sigurisë se kjo pajisje nuk ishte e aftë të kryente përgjime dhe se atë nuk e dispononte Policia Shqiptare.

Tv Klan






Të ngjashme