Zbulohet një pistë 1.5 km pranë avionit, Prokuroria: Ishte ndërtuar 10 ditë më parë
Kjo pistë afro 1.5 kilometër e gjatë u zbulua pranë vendit ku ra avioni i italianit Guido Andrea Guidi, përgjatë grykëderdhjes së lumit Ishëm.
Prokuroria thotë se ajo është ndërtuar 10 ditë më parë. Burime të Prokurorisë së Krimeve të Rënda, që kanë marrë në dorë hetimin, thonë se dyshohet që ajo të jetë ndërtuar nga trafikantët e kanabisit dhe do të përdorej për transportin e lëndës narkotike drejt Italisë. Sipas tyre, fakti që është ndërtuar këto ditë lidhet me kohën e korrjes se kanabisit. Hetuesit kanë dyshime se italiani ishte piloti i parë, që ulej në të dhe kjo tentativë konsiderohet si provë. Zona ku është ndërtuar pista është e fshehur dhe larg qendrave të banuara. Ajo dyshohet se do të shërbente për të trasportuar të gjithë drogën e mbjellë në zonat e Krujës dhe Fushë - Krujës. Në të dhënat e siguruara nga Prokuroria, në bashkëpunim me Policinë dhe SHISH, kjo zonë ka sipërfaqe të mëdha të mbjella me kanabis. Numri i procedimeve të regjistruara në Prokurori, për kultivimin e bimës narkotike, është i lartë. Për kultivuesit janë kryer disa veprime hetimore dhe dyshohet se 69 - vjeçari Guidi ka patur kontakte me shqiptarë në Itali, të cilët janë të përfshirë në trafikun e drogës nga vendi ynë në Itali. Pista dhe avioni konsiderohet ende si provë materiale dhe janë nën ruajtje e policisë. Në pistë janë gjetur gjurmë mjetësh të tjera, çka tregon se gjatë këtyre ditëve ka patur mjaft lëvizje. Pavarësisht krehjes së zonës, nga policia nuk është gjetur asnjë provë tjetër, që e lidh rënien e avionit me trafikun e lëndëve narkotike. Mister për Prokurorinë është mënyra se si italiani ka hyrë në hapësirën ajrore shqiptare pa u pikasur. Ai kishte të fikur trasponderin, duke e bërë mjetit fluturues të pakapshëm nga radarët. Deri në kohën kur policia është njoftuar nga banorët për rrëzimin, asnjë radar nuk e ka diktuar ardhjen e tij. Aviacioni Civil konfirmoi se nuk kishte informacion se një avion i tillë të këtë marrë leje për të udhëtuar në bregdetin shqiptar. Tv Klan