Zbulohet origjina e atentatorëve të Stambollit
Këta janë tre kamikazët, që sulmuan aeroportin e Stambollit “Ataturk”, mbrëmjen e së martës. Fotografia e të treve, vetëm pak çaste para nisjes së sulmit terrorist, u publikua nga mediat turke.
Një ditë më parë foto e kamikazit me xhup të zi në hyrje të aeroportit, bëri xhiron e botës.
Ndërkohë, bilanci i viktimave shkoi në 43 të vdekur dhe 237 të plagosur. Agjencia e lajmeve “Doan”, që citon burime nga policia turke, shkruan se 3 kamikazët janë nga vende të ish – Bashkimit Sovietik.
Ata janë nga Dagestani, Kirgistani dhe Uzbekistani.
Kombësia e tyre u zbulua pas gjetjes së pasaportave në një apartament të marrë me qira në Stamboll, që e shfrytëzonin si bazë operative. Në total, komandoja terroriste nuk përbëhej nga 7 persona, siç ishte njoftuar më parë por nga 11.
Forcat speciale turke zhvilluan mëngjesin e së enjtes disa operacione blic, në zona që dyshoheshin si streha xhihadistësh në Stamboll, ku u arrestuan mbi 20 persona, disa prej të cilëve shtetas të huaj.
Mediat ruse publikuan një video 3D, ku pasqyrohet dinamika e atentatit të së martës në aeroportin “Ataturk”, në Stamboll.
Në video shfaqen tre kamikazët, të cilët hapin zjarr ndaj njerëzve sapo hyjnë në aeroport, ndërsa njëri prej tyre vetëshpërthehet mes njerëzve pranë portës kryesore.
Kamikazi i dytë shkëmben zjarr me oficerët e policisë e më pas ai aktivizon jelekun eksploziv pranë Chek in-it.
Më pas terrorist i tretë i drejtohet një ambienti tjetër në terminal, plagoset nga agjenti i aeroportit, por arrin të vetëhidhet në erë, në mes të turmës.
Dy ditë pas masakrës, ende asnjë grup terrorist nuk ka marrë përsipër sulmin, por Kryeministri turk, Binali Yldirim, drejton gishtin tek Shteti Islamik. Ky është sulmi i 6 -të në Turqi brenda këtij viti.
Tv Klan