Zbulohet plantacioni i drogës, dy shqiptarët babë e bir vihen në pranga
Itali-Policia italiane ka zbuluar një plantacion marijuane, si dhe ka vënë në pranga dy shqiptarë, babë e bir.
Sipas mediave italiane, bima narkotike u zbulua në pyjet e Stella Gemaranga. Në pranga mësohet se kanë rënë P. Z. 47 vjeç dhe djali i tij E.Z. 20 vjeç.
Efektivët e policisë gjatë këtij operacioni kanë numëruar më shumë se 200 bimë, shumica e të cilave arrinte deri në 3 metra lartësi.
Hetimi ka filluar në Korrik, gjatë një operacioni me helikpoter, ku nga lartësia u vu re plantacioni i marijuanës dhe një vaskë që mblidhte ujin me qëllim ujitjen e bimëve narkotike.
Sipas policisë italiane dy personat e arrestuar ishin parë mbrëmjen e djeshme, teksa i ishin afruar plantacionit të drogës. Njëri merrej me ujitjen e bimëve, ndërsa tjetri me krasitjen e tyre.
Ata vijonin të punonin qetësisht kur kanë parë efektivët e policisë të afroheshin, duke menduar gabimisht se ata ishin druvarë.
Por më pas janë habitur kur efektivët u kanë treguar atyre teserat dhe kanë bërë arrestimin e tyre.
Policia sekuestroi 210 bimë marijuanë ,me një peshë të përgjithshme prej 250 kg.
Lënda narkotike dyshohet se do t’u shitej të rinjve në Savona, të cilët ende besojnë se përdorimi i drogërave të lehta është një “krim i pafajshëm”./tvklan.al