Zbulohet skandali, kirurgu abuzonte seksualisht me fëmijët


Zbulohet skandali, kirurgu abuzonte seksualisht me fëmijët

13:00 22/08/2019

Një ngjarje skandaloze është zbuluar në Francë, ku një kirurg me eksperiencë dyshohet se ka abuzuar seksualisht me qindra fëmijë.

Sipas mediave vendase, 66-vjeçari Joël Le Scouarnec abuzonte me fëmijët kur ishin nën efektin e narkozës. Këto akte pedofilie nga kirurgu 66-vjeçar mendohet se kanë ndodhur gjatë 3 dekadave.

Para 10 vitesh, Joël Le Scouarnec u dënua për posedim të imazheve të fëmijëve të abuzuar, por u lejua që të ushtronte profesionin e ti, deri në vitin 2017 kur dhe u arrestua. Ndërsa akuzat e fundit janë mësuar gjatë një hetimi të policisë pas disa pretendimeve se 66-vjeçari ka përdhunuar dy vajza të moshave 4 dhe 6-vjeçare, raporton “The Times”.

Le Scouarnec mohon akuzat për përdhunim të dy vajzave, por përmes avokatit të tij ka pranuar “sjellje të pahijshme” me pacientet. Policia ka gjetur ditarin personal të kirurgut, ku ai ka rrëfyer abuzime seksuale ndaj 250 fëmijëve në spitalin ku punonte.

Gazeta franceze “L’Express” e ka konsideruar këtë ngjarje si “skandalin më të madh të pedofilisë të zbuluar ndonjëherë në Francë”. Prokurorët francezë thonë se kirurgu 66-vjeçar dyshohet të ketë kryer abuzimet seksuale në vitet 1989-2017.

Hetuesit po kontaktojnë me viktimat e abuzimeve seksuale, emrat e të cilëve janë përmendur në ditarin e kirurgut. Por ata nuk janë në dijeni të sulmeve seksuale.

Një burim i ka thënë gazetës “La Charente-Maritime” se Le Scouarnec rrëfente në ditar se si kishte përdhunuar një pacient pas operacionit të apendisitit. “Edhe oficerët e policisë ishin shumë të tronditur. Ai përshkruante ndjenjat, kënaqësinë etj”, ka treguar burimi.

Kirurgu tashmë ka pranuar sulmet seksuale ndaj disa pacientëve fëmijë në spital, por mohon kryerjen e veprimeve që ka shkruar në ditar. /tvklan.al






Të ngjashme