Zbulohet strategjia e PD për kthimin në Kuvend
Pas qëndrimit të mbajtur të martën me aletatët dhe Këshillin e ri Kombëtar, Lulzim Basha e njohu grupin parlamentar të demokratëve me vendimin e opozitës së bashkuar për t’u rikthyer të enjten në seancë plenare.
Opozita rikthehet në kuvend pikërisht në ditën kur në rend të ditës është dekreti i presidentit për buxhetin, çka pritet të sjellë jo pak debate mes palëve.
Në mbledhjen e grupit parlamentar të zhvilluar me dyer të mbyllura, mësohet se është vendosur që nga foltorja e Parlamentit disa prej deputetëve të opozitës të mbajnë fjalime për protestën e studentëve.
Në dispozicion të deputetëve janë 5 orë diskutim, nga të cilat 3 orë i takojnë mazhorancës dhe 2 orë opozitës.
Seanca e të enjtes nuk do te jete e qetë. Burime nga selia blu thonë se në grupin parlamentar është folur gjithashtu që paralel me punimet e Kuvendit, jashtë dyerve të tij është menduar edhe mbajtja e një proteste nga ana e qytetarëve që ka gjetur mbështetjen e opozitës. Megjithatë, deputetët demokratë mohojnë që do të bashkohen me protestuesit.
Debate të gjata pritet të ketë edhe në seancën e së premtes ku do të diskutohet propozimi i opozitës për Vettingun në politikë. Me rikthimin në Parlament opozita njëherazi shpëton edhe mandatet e deputetëve të saj që skadonin me mbushjen 6 muaj pa marrë pjesë në një seancë plenare.
Tv Klan