Ze Maria zyrtarisht bardheblu
Përplasja me tifozët dhe jo vetëm nuk e ka ndaluar Presidentin e Tiranës të prezantojë trajnerin e ri të ekipit dhe stafin e tij. Pasi ka marrë përgjegjësitë për rënien nga Superliga, Refik Halili ka dashur, në këtë mënyrë t’u tregojë të gjithëve, se ai nuk do të pranojë të largohet lehtë nga klubi ku ka investuar, sikurse thotë 2 miliardë e gjysmë lekë.
“Vetëm zoti kur të më fusë në dhe do të më largojë ose kur të shes aksionet.”
Halili është treguar i hapur për të bashkëpunuar me biznesmenë të tjerë, dashamirës të klubit. Të parët në listë janë ish anëtarët e presidencës Ngjela, Nuri dhe Papuli, me të cilët tha se do t’i ndante aksionet e tij jo në këmbim të parave.
Ndërsa trajneri i ri, braziliani José Marcelo Ferreira, i cili njihet ndryshe si Ze Maria, duket se i ka të qarta objektivat.
“U ktheva në Europa për t’u përballur me një sfidë të re. Objektivi im personal shkon përkrah me ato të klubit. Duam të rrisim futbollistët e rinj dhe bashkë me ata të eksperiencës të kthejmë ekipin me më shumë trofe në Shqipëri aty ku e meriton.”
Traineri Ze Maria do të punojë me stafin e tij, por ky nuk është ndryshimi i vetëm në klubin bardheblu. Presidenti Halili ka njoftuar edhe ndryshimin e gjithë stafit të trajnerëve të akademisë, e cila do të drejtohet nga ish-trajneri bardheblu Sulejman Mema.
/Tv Klan