Zëvëndës Kryeministri Kroat (18 Gusht 1999)
Ka mbërritur sot në Tiranë Zëvëndës Kryeministri Kroat Mate Graniç. Pikërisht bashkëpunimi me rajonin në paktin e stabilitetit, ka sjellë në Shqipëri numrin dy të qeverisë së Kroacisë. Ai është takuar me Presidentin Mejdani, Kryeministrin Majko, Kryeparlamentarin Gjinushi dhe Ministrin e Jashtëm Paskal Milo. Në takimin me Kryeministrin Majko, Graniç ka nënvizuar se Kroacia është e interesuar për të forcuar marrëdhëniet me vendet e Rajonit përballë Paktit për Europën Juglindore që është një shans i mirë për të gjithë.
Dëshira për zhvillimin e marrëdhënieve me Shqipërinë nuk varet nga ngjyrat e qeverisjes në Kroaci, vijoi ai pasi pozita dhe opozita janë njëjtë të interesuara në këtë drejtim. Kryeministri Majko ka theksuar se në tregun e ri që po krijohet në Ballkan, Shqipëria mirëpret praninë e kapitalit dhe investimeve kroate. Pozitive do të jetë tha ai dhe përfshirja e Kosovës në këtë kapital.
Në këtë takim kanë nënvizuar se fushat më të rëndësishme të bashkëpunimit janë infrastruktura dhe transportet. Gjithashtu Majko ka kërkuar mbajtjen e një takimi trepalësh midis autoriteteve shqiptare, kroate dhe malazeze për ruajtjen e stabilitetit në Malin e Zi.
Më pas Graniç ka nënshkruar me homologun e tij shqiptar Paskal Milo një marrëveshje bashkëpunimi mes dy ministrive. Ndërkohë një tjetër marrëveshje e bujqësisë është nënshkruar nga ministrat e bujqësisë të Kroacisë dhe Shqipërisë. Në përfundim Milo e Graniç kanë deklaruar për gazetarët projetet e lidhjes së mëtejshme mes Shqipërisë dhe Kroacisë.
“Kemi konstatuar se ka mjaft mundësi dhe fusha bashkëpunimi të cilat neve do ti konkretizojmë në një të ardhme të afërt mes një komisioni të përbashkët ekonomik në muajin shtator në të cilin do të bisedohet konkretisht dhe më vonë do të shikojmë hapa të tjerë konkrete që kanë të bëjnë me shtimin e investimeve kroate në Shqipëri në bazë zë kompanive konkrete. Me mundësinë e krijimit të linjës detare Durrës-Rrjeka dhe vendosjes së linjës ajrore Zagreb-Tiranë.”– tha Milo./tvklan.al
Gazetare: Ornela Bego