Zëvëndësministri i Rendit Publik, Bajram Yzeiri sjell ndryshime në Polici (6 Shkurt 1999)
Rendi Publik është i tronditur thellë. Zëvëndësministri i Rendit Publik, Bajram Yzeiri në një prononcim të tij tha se ç’ekuilibrimi i funksionimit të institucioneve ka sjellë një kriminalitet masiv dhe shpërndarjen e mijërave armëve në popullatë. 43 vrasje janë shënuar në muajin e parë të këtij viti, shifër tepër e lartë duke e krahasuar atë me muajt paraardhës.
Yzeiri tha se policia ka sakrifikuar në përplasje me krimin duke dhënë kështu shembull në institucionet e tjera shtetërore në përpjekje në rregullimin e krimit. Sipas tij mosha e autorëve të krimit është kryesisht e re, 18-25 vjeç shifër që flet për një rrezikshmëri tepër të lartë. Gjithashtu ai shpjegoi dhe pozicionin e ri të Policisë Shqiptare me miratimin e projektligjit të saj të ri.
Do të jetë tashmë një polici e demilitarizuar jashtë forcave të tjera ushtarake duke u shndërruar në një shërbim publik me status të veçantë. Për zëvëndësministrin e Rendit, detyra paresore e policise eshte mbledhja e armeve, detyrë që do t’i ngarkohet një skuadre të veçantë të specializuar. Ndërsa për taksën e solidaritetit, Yzeiri është kundër taksave të tilla që kanë formën e lëmoshës. Sipas tij, Forcat e Rendit kanë nevojë për një fond të caktuar dhe të miratuar nga Qeveria pasi e meritojnë atë./tvklan.al
Gazetar : Eduart Frangaj