Zgjaten oraret e lëvizjes
Nis puna për shumë biznese të tjera në Tiranë
E hëna e 27 Prillit riktheu në punë shërbimin e taksive pas 47 ditëve në izolim. Lëvizjet e tyre nëpër kryeqytet ishin të pakta, pasagjerët munguan.
Puna nisi edhe për 27 mijë punonjës pas hapjes së dyqaneve të pakicës si veshje, këpucë, mobilieri etj. Kusht për ta është autorizimi 1-javor dhe zbatimi i protokollit të sigurisë.
Faza e parë e masave lehtësuese nga Covid–19 e ka zgjeruar në 2 orë fashën e lëvizjes, por sërish dyndja më e madhe e qytetarëve në rrugë ishte gjatë paradites.
Distanca fizike jo gjithmonë u respektua nga lëvizja e shkujdesur e 2 ose më shumë personave në grup. Vetëm një pjesë e tyre mbanin maska, duke thyer kështu kushtet e liri-daljes.
Hapja e bllokut të dytë të bizneseve ka shtuar edhe qarkullimin e automjeteve në rrugë.
Ndërkohë baret, restorantet e qendrat tregtare do të vijojnë të jenë mbyllur për shkak se klasifikohen si aktivitete me risk të lartë për përhapjen e virusit.
Nga masat lehtësuese nuk do të përfitojnë Shkodra dhe Kruja, të konsideruara si vatra të nxehta të COVID-19, për të cilat do të këtë një tjetër vendim bazuar në ecurinë e situatës.
Tv Klan