Zgjatet me 13 vjet kontrata e koncesionit të Aeroportit të Rinasit
Balluku: Do të ulet çmimi i biletave, nis puna direkt për terminalin e ri
Komisioni i Ekonomisë i hapi në parim rrugën ndryshimit të kontratës koncesionare që shteti shqiptar ka Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës.
Kontrata zgjat edhe me 13 vjet të tjera periudhën e koncesionit në këmbim të 100 milion eurove investimeve, ku në fazën e parë do të bëhet zgjerimi i pistës për të kaluar dhe linja transoqeanike duke shmangur tranzitet nga vendi ynë, ndërtimi i terminalit të dytë të pasagjerëve një kat mbi atë ekzistues dhe rritjen e parametrave të sigurisë.
Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku tha se edhe çmimet e biletave do të ulen si rezultat i uljes me 20% të tarifës së pasagjerëve, liberalizimit të disa shërbimeve në tokë si parkim, pastrim e transport dhe uljes së çmimit të naftës për avionët, një angazhim ky i fundit që nuk është shkruar në kontratën e re.
Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj, u tha deputetëve se kontrata ka vendosur një balancë të drejtë ekonomike, duke kufizuar që fitimet e koncesionarit të kapin shifra jashtë parashikimeve.
Kompania e re që ka blerë aksionet nga shoqëria kineze që kishte menaxhimin e Aeroportit të Rinasit është Kastrati Group, një transaksion që u shit me vlerë 71 milionë euro.
Pronarët kinezë ishin në negociata me qeverinë për të ndryshuar kontratën e koncesionit duke reflektuar ulje të tarifave dhe rritje të investimeve, por marrëveshja u arrit vetëm pas ndryshimit të pronësisë. Mendohet se deri në vitin 2040 që do të zgjatë kontrata e re numri i pasagjerëve në Rinas të arrijë në 6 milion në vit.
Tv Klan