Zgjedhje të qeta në Vlorë, procesi i votimit normal – (1 Tetor 2000)
Lajme Arkiva – TV Klan 2000
Procesi i votimit në rrethin e Vlorës ka qenë normale. Vëzhgues të Këshillit të Europës, janë shprehur për zgjedhje të qeta. Dega lokale e PD, ka pretenduar për disa shkelje që kishin të bënin me mungesën në listat emërore. Nga drejtuesit lokalë të PS, procesi zgjedhor, po vijon me tone optimiste duke e cilësuar atë në përputhje me kuadri ligjor përkatës.
Deri në orën 16, sipas burimeve nga komisioni zgjedhor i bashkisë së Vlorës, kishin marrë pjesë në votime rreth 47% e zgjedhësve, ndërkohë që mbetet ende kohë, deri në mbyllje të afatit ligjor të procesit të votimit. Burime nga qendrat e votimit si dhe nga komisioni i bashkisë, bëjnë të ditur se shkalla e pjesëmarrjes pritet të vijë në rritje dhe ta kalojë nivelin e 50%.
Një informacion nga komisioni zgjedhor i bashkisë së Himarës, dëshmon për një mosmarrëveshje brenda anëtarëve të këtij komisioni për shkak të votimit të disa personave që nuk figuronin në listat emërore. Gjithsesi procesi zgjedhor në rrethin e Vlorës ka qenë normal./tvklan.al