Zgjedhjet në Bavari, test për Kancelaren Merkel


Zgjedhjet në Bavari, test për Kancelaren Merkel

16:10 13/10/2018

Bavarezët u drejtohen të dielën kutive të votimit për zgjedhjet parlamentare të landit jugor të Gjermanisë. Të parat që pas konfirmimit të qeverisë Merkel 4, zgjedhjet rajonale këtë herë mbartin një rëndësi thelbësore edhe për qeverinë federale në Berlin dhe koalicionin mes kristian-demokratëve të Kancelares Angela Merkel dhe kristian-socialëve të Horst Zehoferit.

Bavaria prej 6 dekadash është një bastion i sigurt elektoral i CSU-së që qeveris landin, por problemet e brendshme partiake të aleatëve të Merkelit dhe ngjitja e paneglizhueshme e partisë së ekstremit të djathtë, Aleanca për Gjermaninë, i kanë kthyer këto zgjedhje në një test të vërtetë për të ardhmen e qeverisë qendrore. Një dështim i CSU-së, që në sondazhe ka shfaqur regres, do të ishte një dështim për të gjithë koalicionin, komentojnë mediat gjermane.

Merkel do të përjetojë një vjeshtë të stuhishme, shkruan Deutsche Welle, që rendit sfidat e ardhshme të Kancelares me zgjedhjet në landin e Hesenit dy javë më pas dhe testin në Kongresin e Partisë së saj CDU në muajin dhjetor. Kritikët e Kancelares parashikojnë se ajo nuk do ta përmbushë mandatin e katërt, por vetë Merkel thotë se kontrata e saj me popullin skadon në vitin 2021.

Tv Klan






Të ngjashme