Zgjedhjet në Dibër, PS: Vendimi i Administratives, dështim i radhës për drejtësinë
Partia Socialiste ka reaguar pas rrëzimit të kërkesës nga Gjykata Administrate, në lidhje me dekretin e Presidentit Bujar Nishani, për zgjedhjet në Dibër. Sipas selisë rozë, vendimi është në kundërshtim me Kodin e Procedurës Civile e Administrative.
Kjo forcë politike madje e cilëson si një dështim të radhës për drejtësinë, vendimin e Gjykatës Administrative. Duket se prej kohësh Partia Socialiste po kërkon një konflikt të ri me institucionin e Presidentit, sa i përket zgjedhjeve lokale në Bashkinë Dibër.
Në vendimin e Gjykatës Administrative, rrëzimi i kërkesës argumentohet me faktin se ky organ jep vendime jopërfundimtare, vetëm në rastin e mospranimit të padisë dhe të pushimit të gjykimit, si dhe gjykata vendos mospranimin e padisë, kur padia nuk plotëson kushtet formale të paraqitjes së saj.
Gjykata Kushtetuese vendosi në datën 1 Gusht të rrëzojë kërkesën e Kryebashkiakut të shkarkuar, Shukri Xhelili, për rikthim në detyrë.
Në datën 2 Gusht, Presidenti Nishani, pasi u njoh nga ky organ me vendimin e saj, dekretoi datën 11 Shtator, si datën e zgjedhje të pjesshme lokale në Dibër.
Por Partia Socialiste pretendon se Presidenti është në shkelje kushtetuese, pasi duhet të priste të shpallej në Fletoren Zyrtare, vendimi i Gjykatës Kushtetuese, përpara se të nxirrte dekretin. E për këtë arsye, kjo forcë iu drejtua Gjykatës Administrative me dy kërkesa, atë për pezullimin dhe pavlefshmërinë e dekretit presidencial.
Presidenti sqaroi se, akti i shpalljes së datës së zgjedhjeve është format nga kreu i shtetit, pasi është Gjykata Kushtetuese që përcakton afatet kur duhet të zhvillohen zgjedhjet./tvklan.al