Zgjedhjet në Itali/ Mateo Renzi jep dorëheqjen: Marr përgjegjësinë për humbjen


Zgjedhjet në Itali/ Mateo Renzi jep dorëheqjen: Marr përgjegjësinë për humbjen

18:34 05/03/2018

Kryetari i Partisë Demokratike të Italisë Mateo Renzi ka deklaruar dorëheqjen gjatë një konference për shtyp. Dorëheqja e tij vjen pas humbjes së thellë në zgjedhjet parlamentare në Itali që u mbajtën ditën e djeshme. Renzi deklaroi se merr përsipër të gjithë përgjegjësinë e humbjes dhe jep dorëheqjen nga drejtimi i partisë.

“Është e qartë që do të largohem nga drejtimi i Partisë Demokratike pas këtij rezultati. Në Parlamentin e ri do të jem një senator i thjeshtë”

, tha Renzi.

Pavarësisht se asnjë parti nuk ka fituar vota të mjaftueshme për të qeverisur e vetme, Renzi bëri të qartë se nuk do të bëjë koalicion me asnjë prej partive fituese.

“Gjatë fushatës elektorale thashë se nuk do të qeveris me ekstremistët dhe radikalët, unë nuk kam ndryshuar mendje në 48 orë”

, u shpreh Mateo Renzi.

Partia Demokratike e Italisë pësoi humbje katastrofike në këto zgjedhje, me 19% rënie të elektoratit. Lëvizja “5 Yjet” u rendit forcë e parë politike me mbi 32% të votave, ndërsa shumicën e votave e ka koalicioni i djathtë me më shumë se 37% të votave. Partia kryesore e këtij koalicioni të djathtë doli Lega Nord, duke lënë pas Forca Italia të Silvio Berlusconit

. /tvklan.al






Të ngjashme