Zgjedhjet në SHBA, Biden thellon diferencën në krye
“Të bindur për fitoren, të gjitha votat do të numërohen”
Katër ditë pas mbajtjes së zgjedhjeve presidenciale në Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk ka ende një fitues. Teksa po numërohen votat e fundit, kandidati demokrat Joe Biden ka thelluar diferencën në disa shtete, por ende nuk e ka plotësuar numrin prej 270 votash në Kolegjin Elektoral që i japin mandatin presidencial.
Në Pensilvani, Biden kryeson me mbi 28 mijë e 800 vota dhe përfundimi i procesit këtu do t’i siguronte atij votat e mjaftueshme për t’u shpallur fitues pasi ky shtet ka 20 vota elektorale.
Një hendek i ngjashëm është edhe në Arizona ku Biden kryeson me mbi 29 mijë e 800 vota. Kandidati demokrat është gjithashtu në krye edhe në Nevada me mbi 22 mijë e 600 vota. Së fundmi Biden ka thelluar edhe më shumë diferencën në Georgia me rreth 7.200 vota, por zyrtarët atje thanë se do të ketë rinumërim.
Në një fjalim mbrëmjen e së premtes, Biden tha se ai do të fitojë zgjedhjet “me një shumicë të qartë dhe se ishte i vendosur që çdo votë të numërohet”.
“Ne do ta fitojmë këtë garë me shumicë të qartë. Tensionet janë të larta pas këtyre zgjedhjeve të vështira, por ju bëj thirrje të gjithëve të lënë pas zemërimin. Ne mund të jemi kundërshtarë, por nuk jemi armiq. Duhet të qëndrojmë të qetë. Vota juaj do të numërohet. Nuk më intereson se sa shumë po përpiqen ta ndalojnë këtë, por unë nuk do ta lejoj të ndodhë”.
Presidenti Trump nuk u shfaq në publik të premten, por paralajmëroi Biden nëpërmjet Twitterit të mos pretendonte fitoren sepse procedurat ligjore “sapo kishin filluar”. Në shumë shtete tensionet janë rritur pasi mbështetës të dy kandidatëve kanë dalë në rrugë.
Tv Klan