Zgjedhjet në SHBA, fitojnë Sanders e Cruz
Berni Sanders fitoi në fazën e radhës të zgjedhjeve paraprake në kampin demokrat, duke mundur rivalen e tij Hilari Klinton. Senatori i Vermontit arriti të triumfojë në Uioming, duke siguruar fitoren e tij të 7 radhazi dhe të 8 në 9 garat e fundit, ndaj ish-Sekretares Amerikane.
Në fjalimin e tij pas fitores, 75-vjeçari tha se hapi i tij fitimtar nuk do të ndalet dhe do të fitojë edhe garën për Shtëpinë e Bardhë. Megjithatë Hilari Klinton mbetet qartësisht në krye të garës, pasi ka siguruar 1756 delegatë kundrejt 1068 të Sanders. Kandidatëve u nevojiten 2383 delegatë për të fituar garën brenda partisë.
E njëjta situatë shfaqet edhe në kampin republikan, ku rivali Ted Cruz fitoi në Kolorado ndaj kandidatit kryesor Donald Tramp. Ky i fundit gjithsesi mbetet në një pozitë të favorshme me më shumë se 200 delegatë në avantazh. Vëmendja e dy kandidatëve kryesorë, Klinton për demokratët dhe Tramp për republikanët, është tek sfida e radhës në New York më 19 prill, një sfidë që përbën një pikë kyçe pasi garohet për një numër të madh delegatësh./ TV KLAN