Zgjidhen 3 anëtarët më të rinj të KLGJ


Zgjidhen 3 anëtarët më të rinj të KLGJ

16:39 08/10/2021

Asambleja e gjyqtarëve përzgjodhi Klodian Kurushin, Ridvan Hadon dhe Irena Plakun

Gjykata e Lartë thirri dhe zhvilloi mbledhjen e përgjithshme të gjyqtarëve për të përzgjedhur 3 anëtarët e rinj të Këshillit të Lartë Gjyqësor. 247 gjyqtarët që morën pjesë përzgjodhën Klodian Kurushin, Ridvan Hadon dhe Irena Plakun si anëtarët më të rinj të qeverisë së gjyqësorit.

Vakancat në KLGJ u krijuan pas mbarimit të mandatit 3-vjeçar të 3 anëtarëve gjyqtarët në KLGJ. Konkretisht, në 12 Dhjetor, mbarojnë mandatin anëtari Medi Bici, i cili vinte nga radhët e Gjykatës së Lartë, Ilir Toska, nga Gjykatat e Apelit dhe Brunilda Kadi, nga Gjykatat e Shkallës së Parë.

Për të zëvendësuar Medi Bicin, kandiduan  gjyqtarët e lartë Asim Vokshi që mori 93 vota dhe Klodian Kurushi 145, ndërsa 8 vota ishin të pavlefshme. Për vendin e Ilir Toskën, kandiduan Vojsava Osmanaj që mori 101 vota dhe Ridvan Hado 140 vota ndërsa 5 rezultuan të pavlefshme.

Ndërsa për vakancën e anëtares Brunilda Kadi, kandiduan Manjola Xhaxho që mori 75 vota  dhe Irena Plaku 158 vota ndërsa të pavlefshme ishin 3. Në bazë të ligjit Medi Bici, Ilir Toska dhe Brunilda Kadi do të rikthehen në detyrat që kanë pasur më herët në gjykata.

Qeveria e gjyqësorit do të ripërtërihet pasi në 12 Dhjetor mbarojnë mandatin edhe Erjon Muharremaj e Maksim Qoku, të cilët vijnë nga radhët e pedagogëve.

Dy vakancat e tyre plotësohen nga Kuvendi. 3 vite më parë kur u mblodh asambleja e parë e gjyqtarëve për të zgjedhur 6 anëtarët e KLGJ nga radhët e sistemit gjyqësor në total ishin 408 gjyqtarë ndërsa aktualisht në sistem janë 263. Numri është thuajse i përgjysmuar për shkaka të shkarkimeve nga Vetting. 

Klan News






Të ngjashme