Zhduket pa gjurmë Klemend Balili


Zhduket pa gjurmë Klemend Balili

19:34 13/05/2016

Klemend Balili, i shumëpërfoluri i ditëve të fundit si pjesë e një rrjeti ndërkombëtar të trafikut të lëndëve narkotike ka humbur çdo gjurmë.

Gjatë ditës së premte, Policia e Sarandës ka zhvilluar disa tentativa për ta ndaluar, por nuk ka mundur ta gjejë ish – kreun e Transporteve të këtij qyteti.

Burime në Policinë e Shtetit thanë se janë ushtruar disa kontrolle në banesat e tij në Sarandë dhe në Delvinë, por që rezultuan të pasuksesshme. Ai nuk ndodhej në asnjë prej tyre dhe as në ambientet e bizneseve të tij.

Është ende i paqartë urdhëri që ka vënë në lëvizje Policinë e Sarandës, e cila vazhdon kërkimet. Mësohet se paraprakisht do të bëhej shoqërimi i tij, pasi ende nuk ka një urdhër arresti për 44 – vjeçarin.

Policia po verifikon në pikat e kalimit kufitar, për të zbuluar një largim të mundshëm të tij jashtë Shqipërisë, por në sistemin TIMS nuk ka asnjë lëvizje në emrin e tij. Burimet saktësuan se prej dy ditësh është shpërndarë në të gjitha pikat e kalimit kufitar një urdhër ndalimi për Balilin, që ai të mos largohet nga vendi.

Të njëjtat burime thanë se Policia Shqiptare ka vendosur të veprojë, pavarësisht se nga homolgët grekë nuk ka mbërritur ende një urdhër – arresti.

Në drejtim të Athinës është nisur një letër – porosi, që autoriteteve shqiptare t’u vihen në dispozicion hetimet e kryera për Kelmend Balilin dhe shqiptarët e tjerë të përshirë në trafikun e drogës. Mësohet se letër – porosia ka mbërritur në Ministrinë e Drejtësië në datën 11 Maj dhe nuk sqarohet nëse këto shkresa i janë përcjellë palës greke.

Për aksionin zhvilluar nga policia greke dhe Antidroga amerikane ka reaguar edhe Europol që njofton se operacioni ka vënë në pranga 17 persona, mes të cilëve 6 shqiptarë. Arrestimet u bënë në Greqi dhe Belgjikë ndërsa u sekuestrua më shumë se 700 kilogramë kanabis.

Tv Klan






Të ngjashme