Zhvendoset godina e administratës, banorët në mëshirë të fatit


Zhvendoset godina e administratës, banorët në mëshirë të fatit

20:52 07/06/2017

Një grup banorësh të komunës së dikurshme të Kasharit denoncojnë se papritur e pa u pyetur nga askush, godina e administratës u zhvendos. Ata thonë se zyrat e reja kanë shkuar larg dhe për më tepër, për to paguhet një shumë e majme për qira, kur ndërtesa e vjetër ishte shtetërore. Në fakt, nga një vëzhgim i emisionit “STOP”, rezulton se ish-komuna është në gjendje shumë të mirë, por zyrat e reja janë zhvendosur tek Astiri dhe për to mësohet se paguhen 8 mijë euro në muaj.

“Na ka sjellë shumë probleme për arsye se ne këtu i kishim afër, kryenim problemet, hallet, nevojat që kishim. E para kjo, e dyta ata kur ikën nuk pyetën asnjë nga banorët, asnjë nga anëtarët e këtij komuniteti. Gjynaf!”

Gazetari – Pse ikën?

Ikën për më mirë për veten e tyre, por jo për ne, komunitetin. Ish- kryetari apo administratori që mund ta quajmë, un nuk e mbaj mend, nuk e di a ka ardhur ndonjëherë këtu. Ajo ka shpenzime kolosale se 400 lekë (të vjetra) i dua prej këtu deri në Mëzez, 400 nga Mëzezi deri te Astiri, bëjnë 800 e 800 për të ardhë, bëjnë 1600 (lekë të vjetra). 500 bën certifikata, 2100, po unë 140000 lekë pension kam.”

Banorët ankohen për transferimin e administratës nga Kashari në Astir për shumë arsye, ku përmendin largësinë dhe hapësirën e vogël që disponon, pasi ndodhet në një pallat.   

“Tani na janë vështirsuar të gjitha gjërat, por ajo që unë nuk arrita të kuptoj nga shpërngulja e njësisë administrative është se pse duhet të largohet prej këtej kur kjo banesë është e shtetit dhe është e vetja. Këtu nuk paguajnë as qera, ka dalë atje që paguan qera. Pse duhet të paguash qera me taksat tona, kur ke banesën tënde këtu. Pra largimi më duket i paarsyeshëm dhe i pallogjikshëm. Kjo ishte një qendër ku lidhte të gjithë zinxhirin e fshatrave të njësisë administrative.”

Godina e njësisë administrative të ish-komunës së Kasharit është ndërtuar në vitin 1968, por në vitin 1992 është vendosur administrata. Nga një vëzhgim i kryer nga gazetari i emisionit “STOP” rezulton se godina është në gjendje shumë të mirë dhe me kushte optimale për një administratë, ndaj nuk mund të jetë kjo arsyeja që ka bërë transferimin e tyre në një godinë që qiraja paguhet 8000 euro.

Gazetari i emisionit “STOP” iu drejtua zyrës së re të administratës së Njësisë Administrative të Kasharit, e cila ndodhet në një pallat në zonën e Astirit, ku komunikoi me Erin Çatrin, administratorin.  

Gazetari – Shkurtimisht, nuk të marr shumë kohë. Në lidhje me transferimin e administratës nga komuna që ka qenë atje, pse ka ardhë këtu? Arsyeja, pse është transferuar, kur ajo është godinë-shtet, nuk paguanit qira më përpara? Plus që është qendër?

Administratori

Nuk është e vërtetë ajo ëëë..., nuk ka qenë godinë shtet. Ajo ka qenë një institucion i ndarë përgjys. Ajoka qenë një godinë e zaptuar nga banorë, të cilët jetonin...

Gazetari – Në katin e 3-të.

Administratori

Lart dhe katin poshtë, pra institucioni ishte jashtë kontrollit.

Gazetari – Po s’kishte p.sh. kati i parë ishte bosh sot. Vetëm kati i 3-të, por nuk e kishte hyrjen nga hynit ju.

Administratori

Ka dy hyrje ai institucion, është kështu godina, ka një këtej, një këtej.

Gazetari - Në hymë dhe nuk pamë kështu, ndonjë problem. Jo hyme dhe nuk kishte lidhje kati i 3-të me hyrjen, që hyhet nga shkallët. Sa paguani këtu si administratë? Qera?

Administratori

Këto nuk janë pyetje, janë kofidenciale, mund të shkosh të... nuk e di se sa paguhet, se e ka bërë qeranë Bashkia Tiranë.

Administratori Erin Çatrin u shpreh se u detyruan të largoheshin nga Kashari sepse në godinën 3-katëshe jetonin banorë, por ata janë transferuar në një pallat 12-katësh.../ tvklan.al





Të ngjashme