Zhvillohet raundi i dytë i zgjedhjeve presidenciale
Në Kroaci është mbyllur raundi i dytë i votimit në zgjedhjet presidenciale. Sipas rezultateve paraprake, socialdemokrati Ivo Josipovic kryeson garën. Qendrat e votimit u hapën në orën 07:00 të mëngjesit dhe u mbyllën në orën 19:00.
Nga raundi i parë i votimit që u mbajt në muajin Dhjetor, social demokrati Ivo Josipovic doli fitues ndaj rivalit të tij, kryebashkiakut të Zagrebit, Milan Bandic.
Megjithatë ai nuk arriti të merrte përqindjen e duhur për të fituar mandatin presidencial. Duke qenë se presidenti ka një pushtet të kufizuar në politikë, këto zgjedhje u fokusuan më shumë tek personaliteti sesa tek idetë e kandidatëve.
Të dyja figurat politike kanë përparësi integrimin e Kroacisë në Bashkimin Europian.
Aktualisht vendi përballet me një recesion ekonomik. Ekonomia ra me gati 6 % në vitin 2009, në një kohë që papunësia mbetet në shifra të larta, rreth 16 %.
Tv Klan