Zhytet të zhbllokojë rrjetën e peshkimit, 33-vjeçari mbytet në ujërat e lumit Shkumbin (22 Maj 2001)


Zhytet të zhbllokojë rrjetën e peshkimit, 33-vjeçari mbytet në ujërat e lumit Shkumbin (22 Maj 2001)

12:30 22/05/2001

Shkon të gjuajë për peshk si zakonisht, por mbytet në lumë. Edmond Culladej, 33 vjeç banor i lagjes “Çlirimi” në qytetin e Elbasanit ka gjetur vdekjen duke u mbytur aksidentalisht në ujërat e lumit Shkumbin. Ngjarja e rëndë ka ndodhur rreth orës 15:00 në afërsi të urës së vjetër të Paprit. 33-vjeçari, i pamartuar kishte kohë që ushtronte profesionin e peshkatarit duke nxjerrë dhe pak të ardhura nga ky biznes.

Shkak për mbytjen e të riut ka shërbyer ngecja e rrjetës së peshkut në lumë. Për të zhbllokuar rrjetën Edmondi ishte zhytur në lumë, por fatkeqësisht nuk ka dalë më prej andej. Nipi -19 vjeçar që e shoqëronte nuk ka mundur dot t’a shpëtojë. Pak minuta më vonë, vetëm 300 metra larg vendngjarjes disa fshatarë kanë identifikuar kufomën e të riut të dalë mbi ujë.

Sipas eksperzitës policore, vdekja e tij ka qenë aksidentale. Në momentin e zhytjes ai është dëmtuar në kokë nga këmbët e urës. Ekspertiza ka deklaruar se vdekja nuk është shkaktuar nga prania e ujit në mushkëri, por nga asfiksia. Gati për çdo vit në këtë vend, në ujët e lumit Shkumbin kanë gjetur vdekjen jo pak, por disa njerëz./tvklan.al






Të ngjashme