Zjarri në Laç, digjet tregu – (26 Gusht 1999)


Zjarri në Laç, digjet tregu – (26 Gusht 1999)

09:19 26/08/1999

Arkiva Lajme – Tv Klan 1999

Tregu i Laçit nën pushtetin e flakëve. Sot rreth orës 2 e 30 të mëngjesit flakët kanë përpirë për herë të katër tregun e fruta-perimeve. Ndërsa tre herët e para ka qenë ndërhyrja e policisë, zjarrëfikësve dhe vetë tregtarëve që kanë shpëtuar tregun, këtë radhë duket se gjithçka është ndryshe.

Mbi 70% e vargut të gjatë të vendeve të tregtimit të fruta-perimeve është djegur plotësisht në mënyrë të pariparueshme. Tregun nuk mundën ta shpëtonin as zjarrfikësit të cilët kanë arritur tre orë me vonesë. Tavolinat dhe tendat e improvizuara të tregut janë kthyer në moll sherri mes 18 pronarëve të tokës dhe tregtarëve.

Sipas policisë lokale dyshohet se të dy palët mund të jenë zjarrvënësit e tregut. Zjarri i sotëm është i dyti brenda një jave që ka përfshirë tezgat. Ndërkohë që sherri vazhdon të jetë i pa zgjidhur, rrezikon të digjet jo vetëm fondi për ndërtimin e tregut të ri por dhe 30% që ka shpëtuar nga flakët./tvklan.al

Gazetare – Ornela Bego






Të ngjashme