Zjarri në Londër, viktimat mund të mos identifikohen kurrë
Policia britanike ka paralajmëruar se ekziston mundësia që të mos jenë në gjendje të identifikojnë të gjithë personat që kanë humbur jetën nga zjarri në kullën e banimit në Londër.
Sot është dita e tretë që shërbimet e emergjencës po kontrollojnë godinën 24-katëshe duke kërkuar trupat e viktimave. Deri tani zyrtarisht janë deklaruar 17 të vdekur, por kjo shifër pritet të jetë akoma më e madhe për shkak të numrit të madh të të humburve. Shefat e zjarrfikësve thonë se nuk kanë pritshmëri që të gjejnë persona të mbijetuar.
Sipas tyre, do të ishte një mrekulli nëse do të gjenin, por kjo është pothuajse e pamundur. Nga ana tjetër, Kryeministrja britanike Theresa May ka urdhëruar nisjen e një hetimi të plotë.
Shkak i zjarrit në ndërtesë dyshohet të ketë qenë një burrë nga Etiopia, i cili banonte në një apartament në katin e katërt të kullës. Pas mesnatës, ai ngriti alarmin se kishte rënë zjarr në banesën e tij, e që më pas dyshohet të jetë përhapur në gjithë ndërtesën./
tvklan.al