Zjarri në magazinën e mbetjeve spitalore, nisin hetimet për veprimtarinë e kompanisë
Kjo ka mbetur nga një magazinë ku trajtohen dhe asgjësohen mbetjeve spitalore e cila u përfshi nga zjarri rreth orës 4:40, të mëngjesit të së martës. Zjarrfikësit u njoftuan nga banorë të zonës, të cilët vunë re flakët dhe tymin.
Por banorët e zonës dhe specialistët u druhen efekteve negative që mund të pasojnë për shkak të çlirimit të gazrave të rrezikshëm në ambient.
Punonjësit e kompanisë që kryen asgjësimin e mbetjeve nuk kanë pranuar të japin komente mbi rrethanat e ngjarjes dhe nuk kanë lejuar kamerat të filmojnë në ambientet e saj.
Shkak për ngjarjen, dyshohet të jetë bërë një masë elektrike në një prej makinerive që mendohet se ishte në proces pune ndërsa personeli nuk ndodhej prezent.
Policia dhe specialistët zjarrfikës po hetojnë rastin, për të përcaktuar shkaqet e tij. Burime të grupit të policisë thonë se ka dyshime që veç asgjësimit të mbetjeve spitalore, aty punohej edhe me materiale të tjera plastike të cilat dyshohet se mund të kenë favorizuar flakët.
Tv Klan