Zv/kryeministrja Çeço takim me drejtuesit lokal në Gjirokastër – (15 Mars 2001)
Lajme Arkiva – TV Klan 2001
Situata e rendit dhe qetësisë publike, furnizimi me energji elektrike i konsumatorëve, si dhe problemet e investimeve publike, ishin në qendër të diskutimit në takimin që zv/kryeministrja Makbule Çeço, zhvilloi me drejtues të drejtorive lokale dhe të institucioneve në Gjirokastër. Ende ka probleme me rendin dhe sigurinë, tha Çeço.
Filiali i KESH-it, për arsye të mos likuidimit të faturave nga konsumatorët, nuk ka mundësi të investojë në përmirësimin e rrjetit shpërndarës. Në këto rrethana ekonomike dhe sociale, qeveria dhe shteti është i angazhuar në zgjedhjen e problemeve, por këtij angazhimi duhet t’i përgjigjet dhe serioziteti dhe përkushtimi i pushtetit, drejtorive dhe institucioneve lokale të bazës, përfundoi zonja Çeço.
Gjithashtu në kohën kur zonja Çeço, ndodhej në këtë qytet, ajo mori pjesë në mbledhje e komitetit drejtues lokal të PS për Gjirokastrën, si e deleguara e kryesisë së kësaj partie. Ajo kërkoi, që diskutimi për kandidaturat e mundshme për deputet në organizatat socialiste të përfundojë në 26 Mars./tvklan.al