Zv/ministri i Brendshëm: Me Nanon kam bashkëpunuar, ajo çfarë bie në sy…
Zv/Mininistri i Brendshëm, Besfort Lamallari në një lidhje direkte në Opinion, u shpreh besimplotë se drejtori i ri i Policisë së Shtetit, Gledis Nano ka aftësitë e duhura për ta çuar para punën e Policisë së Shtetit. Lamallari tha se kishte punuar nga afër me Nanon dhe veçoi disa cilësi të tij. Sa i përket drejtorit të larguar tashmë, Ardi Veliut, zv/Ministri tha se ai kishte kontributin e tij në organizatën e Policisë së Shtetit.
Ishte e apo e pakënaqur qeveria shqiptare me rolin e Ardi Veliut?
Absolutisht siç e tha në fakt edhe vetë ish-drejtori i Përgjithshëm historia e Policisë së Shtetit nuk fillon e as mbaron me një emër konkret. Është një histori që ngrihet dita-ditës, ku çdokush jep kontributin e vet nga 12 mijë burrat dhe gratë e kësaj organizate të madhe që në fund të fundit përfaqëson shtetit shqiptar, përfaqëson të gjithë ne.
Po ka etapa të caktuara, emra që e drejtojnë që mund të jenë më shumë apo më pak të suksesshëm, në përputhje me objektivat, ose që nuk përputhen me këto objektiva…
Absolutisht, ata kanë përgjegjësi për menaxhimin, bashkëpunimin ndërkombëtar, organizimin, për gjithçka dhe kjo është përgjegjësia e lartë përpara qytetarëve shqiptarë. Absolutisht Ardi Veliu ka dhënë kontributet e veta për ta çuar më para, ta avancojë punën e Policisë së Shtetit. Unë kam besim të plotë, duke qenë se kam bashkëpunuar dhe me zotin Nano, për shkak se edhe kam mbuluar çështjet e Antiterrorit, ku ai ishte drejtuesi. Dhe ajo çfarë unë mund të them referuar zotit Nano, ajo çfarë bie në sy, dhe besoj do ta ketë mundësinë ta provojë edhe gjatë mandatit të tij është pikërisht dinamizmi dhe të qenit efektiv në kryerjen e detyrave. Po flasim për çështje shumë të ndjeshme, pikërisht ato të terrorizmit, ku elementi kohë dhe elementi i bashkëpunimit si brenda vendit pra me agjencitë e tjera, por edhe me bashkëpunimin ndërkombëtar, janë jetik, kështu që unë besoj fort dhe i uroj mbarësi edhe drejtorit të ri të përgjithshëm./tvklan.al