Zv/kryeministrja Mesi: Reduktimi i certifikatave, vetëm hapi i parë


Zv/kryeministrja Mesi: Reduktimi i certifikatave, vetëm hapi i parë

15:54 15/09/2017 https://youtu.be/NWec-cwGXJc

Një nga vendimet e para të qeverisë së re, ajo për reduktimin e përdorimit të certifikatave në sportelet që ofron shërbime publike ka hyrë në fuqi duke shmangur radhët e gjata dhe sorollatjet pa fund të qytetarëve në zyrat e gjendjes civile.

Zv/kryeministrja Senida Mesi thotë se ky është vetëm hapi i parë i një serie që qeveria do të ndërmarrë për të ulur në maksimum numrin e dokumenteve që kërkohen për qytetarët dhe bizneset.

Dy drejtori brendapërbrenda një institucioni kërkojnë një dokument të tillë. Kati i parë i kërkon katit të dytë një certifikatë, me vendimin e ri të Këshillit të Ministrave, kjo barrë u kalon institucioneve publike. Nëpunësit e administratës publike, nëpërmjet portalit e-Albania, mund të aksesojnë çdo dokumentacion, në lidhje me gjendjen civile dhe ne po punojmë që të kemi sa më pak letra, leje, licenca dhe dokumente.

Të gjithë punonjësit e gjendjes civile do t’i nënshtrohen procesit të trajnimit për të adoptuar risinë që ofron ky sistem i ri, nga krejtësisht në letër në krejtësisht elektronik.

Zonja Mesi mohon se digjitalizimi i lëshimit të certifikatave do të thotë reduktim i punonjëseve të gjendjeve civile.

Kjo nuk është e thënë domosdoshmërisht që ofrimi i shërbimeve online automatikisht sjell reduktim të stafit.

Zv/kryeministrja do të drejtojë dhe procesin e derregullimit nga i cili do të dalë dhe struktura e re e drejtorive dhe agjensive shtetërore. Mesi thotë se po studiohen nga çdo ministri sugjerimet e bëra nga grupi i punës së drejtuar nga Niko Peleshi, por ende nuk ka asgjë konkrete për këtë proces në përfundim të të cilit shumë drejtori dhe agjenesi në varësi të ministrive do të shkrihen apo bashkohen./Tv Klan






Të ngjashme