Zyrtari gjerman: Shqipëria nuk i ka plotësuar kushtet për hapjen negociatave
Hapja e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Europian duket një mision i pamundur për Shqipërinë.
Kryetari i Komisionit për Çështjet Europiane ne Bundestagun gjerman, Gunther Krichbaum, në një konferencë për mediat tha se Shqipëria duhet të zbatojë 7 kushte përveç 5 prioriteteve, të caktuara nga Komisioni Europian. Sipas Krichbaum, reforma në drejtësi që është një nga pikat kyçe nuk është realizuar, pasi Gjykata Kushtetuese ka pezulluar ligjin e Vettingut. Zyrtari gjerman theksoi se grupi parlamentar i CDU-CSU do të kërkojë që të mos çelen negociatat për Shqipërinë, pasi vendi ynë nuk i ka përmbushur ende të gjitha kushtet. “Ne duam që Shqipëria të bëhet anëtare me të drejta të plota e BE. Duam që qytetarët e Shqipërisë të përfitojnë nga avantazhet e statusit, anëtarë të BE. Duam që negociatat me Shqipërinë të çelen kur të jenë krijuar kushtet e nevojshme. Krijimi i shtetit të së drejtës ka rol thelbësor. Sot është ende e paqartë se kur do të hyjë në fuqi reforma në drejtësi, pasi Gjykata Kushtetuese e ka pezulluar. Deri tani, ky kush nuk është përmbushur. Deri tani nuk janë përmbushur numri 2 dhe numri 3 i prioriteteve kyçe. Rezultatet e deritanishme janë të pamjaftueshme. Për këto arsye do t’i rekomandojë Qeverisë Federale mos miratojë hapjen e negociatave
”, deklaroi zyrtari gjerman. Pritshmëritë që duhet të përmbushë Shqipëria për çeljen e negociatave të anëtarësimit- Në lidhje me reformën në administratën publike, duhet të provohet në praktikë sa qëndrueshëm është zbatimi i ligjeve të miratuara.
- Reforma në drejtësi duhet të zbatohet në mënyrë të qëndrueshme dhe të plotë me qëllim forcimin tërësor të nivelit të profesionalizmit dhe të integritetit në fushën e drejtësisë. Për arritjen e këtij qëllimi duhet të ketë hyrë në fuqi reforma në drejtësi, të jenë miratuar ligjet e nevojshme për zbatimin e saj dhe të zbatohen këto të fundit. Ky proces duhet të jetë në përputhje me standardet evropiane. Pjesë e domosdoshme është verifikimi i rreth 800 gjyqtarëve dhe prokurorëve ( i ashtuquajturi procesi i vetting-ut). Ky proces duhet të ndjekë parimet e dhëna nga Komisioni Evropian: asnjë afat përshkrimi apo procesimi, rregullime ligjore për dëshmitarët kyç, verifikim i plotë i pasurisë, asnjë kufizim në rolin e ekspertëve ndërkombëtarë të monitorimit, rekomandimet e ekspertëve ndërkombëtarë të monitorimit duhet të ndiqen e të zbatohen në praktikë. Një kusht për çeljen e bisedimeve të anëtarësimit përbën verifikimi shterues i të gjithë gjyqtarëve dhe prokurorëve të gjykatave të larta dhe të prokurorive, i gjyqtarëve të gjykatave të l apelit si dhe marrja e masave ligjore dhe individuale.
- Në luftën ndaj korrupsionit nëpërmjet Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), e cila duhet të jetë e pavarur nga kontrolli dhe ndikimi i politikës, duhet të jenë shënuar arritje të konsiderueshme. Në këtë kontekst është veçanërisht e nevojshme që në rastet e korrupsionit të funksionarëve të lartë të jenë ngritur paditë penale dhe të jenë dënuar me vendim gjykate të formës së prerë.
- Po kështu duhet të shënohen arritje të konsiderueshme në luftën ndaj krimit të organizuar. Në këtë drejtim duhet të jetë rritur ndjeshëm numri i dënimeve me vendime të formës së prerë. Duhet të forcohen dukshëm përpjekjet për luftën e qëndrueshme ndaj krimit të drogës dhe duhet të shënohen suksese të prekshme.
- Në lidhje me prioritetin kyç në fushën e të drejtave të njeriut, masave kundër diskriminimit dhe realizimit të së drejtës së pronës, Shqipëria ende duhet të përmbushë ato pika që përmend Komisioni Evropian në raportin e tij të datës 9 nëntor 2016.
- Rekomandimet e OSBE-së dhe të ODHIR-it në lidhje me reformën zgjedhore duhet të zbatohen deri në zgjedhjet e qershorit 2017. Këto zgjedhje duhet të përmbushin standardet evropiane.
- Ligji për Dekriminalizimin e parlamentit, të institucioneve qendrore e vendore dhe të administratës publike duhet të zbatohet në mënyrë të qëndrueshme e të plotë. Në këto instanca, veçanërisht në parlamentin shqiptar nuk duhet të zgjidhen e të ushtrojnë detyra e funksione publike persona që ndiqen me urdhra arresti kombëtarë ose ndërkombëtarë, apo që janë dënuar me vendim gjykate./tvklan.al