Zyrtari multimilioner që pretendon se ka vetëm një shtëpi
Prokuroria e Përgjithshme ruse deklaroi se një zyrtar rajonal në Moskë, i cili po hetohet për shpërdorim detyre, në të vërtetë është një multimilioner. Sipas asaj që shkruan e përditshmja “Russia Today”, Prokuroria pritet që të kërkojnë sekuestrimin dhe konfiskimin e pronave të Aleksander Shestun, që përllogaritet se vlejnë rreth 150 milionë dollarë. Sipas organit të akuzës, pasuria e tij, e përfituar nëpërmjet një rrjeti kompleks mashtrimesh dhe ndërmjetësish, përfshin 565 parcela tokë, 111 shtëpi dhe apartamente, si dhe 22 makina.
Ligji antikorrupsion rus e lejon sekuestrimin e pasurive të zyrtarëve, të cilët nuk mund të vërtetojnë se janë pronarët e ligjshëm. Nëse konfirmohet dhe autorizohet nga një gjykatë, Shestun do të thyente rekordin në termat e sasisë së pasurive të konfiskuara. Rekordi aktual, sipas të përditshmes ruse, mbahet nga Dmitry Zakharchenko, një ish-zyrtar i Ministrisë së Brendshme, familjes të të cilit vitin e shkuar iu sekuestruan pasuri me vlerë plot 125 milionë dollarë, pasi nuk justifikonin dot origjinën e tyre.
Avokatët e Shestun i mohuan pretendime e prokurorisë dhe u shprehën se vetë zyrtari u surprizua kur mësoi se ishte multimilioner. Ata thanë se klienti i tyre ka në pronësi vetëm një shtëpi, një makinë dhe një llogari bankare me vlerë 15 mijë dollarë.
Zyrtari kishte mbajtur në të shkuarën detyrën e kreut të një prej bashkive rajonale të Moskës. Vitin e shkuar ai u arrestua dhe u akuzua për abuzim me detyrën dhe shpërdorim të pronave të bashkisë. Pak kohë përpara arrestimit të tij, Shetun publikoi disa video ku i kërkonte mbrojtje Presidentit rus Vladimir Putin, duke pretenduar se kërcënohej nga zyrtarë të tjerë rusë. Ai tha se e gjithë çështja kundër tij ishte e stisur, në mënyrë që të mos rikandidonte.
/tvklan.al